• 9 December, 2022

Banka Botërore: Pushtimi i Ukrainës pengon rimëkëmbjen ekonomike

Lufta në Ukrainë zvogëlon perspektivat për rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia, si për ekonomitë e vendeve në rritje dhe në zhvillim në Evropë dhe Azinë Qendrore, sipas Raportit të Përditësuar Ekonomik të Bankës Botërore të atij rajoni të publikuar sot.

Aktiviteti ekonomik do të mbetet thellësisht i dëshpëruar gjatë vitit të ardhshëm, me një rritje minimale të pritshme prej 0.3 për qind gjatë vitit 2023, pasi goditjet e çmimeve të energjisë vazhdojnë të ndikojnë në rajon.

Megjithatë, sipas raportit, rajoni deri më tani i ka tejkaluar efektet e pushtimit rus të Ukrainës më mirë se sa pritej.

Aktiviteti ekonomik rajonal pritet të tkurret me 0.2 për qind këtë vit, duke reflektuar një rritje më të mirë se sa pritej në disa nga ekonomitë më të mëdha të rajonit dhe një zgjerim të kujdesshëm të programeve stimuluese të epokës së pandemisë nga disa qeveri.

Rënia e pritshme e këtij viti në ekonominë ukrainase tani parashikohet në 35 për qind. Aktiviteti ekonomik është goditur nga shkatërrimi i kapaciteteve prodhuese, dëmtimi i tokës bujqësore dhe ulja e ofertës së punës, pasi më shumë se 14 milionë njerëz vlerësohet të jenë zhvendosur.

Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, nevojat e Ukrainës për rimëkëmbje dhe rindërtim në sektorët e infrastrukturës sociale dhe produktive arrijnë në të paktën 349 miliardë dollarë, që është 1.5 herë më e madhe se ekonomia e Ukrainës e paraluftës në 2021.

“Pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi një nga krizat më të mëdha të refugjatëve dhe i dha një goditje të rëndë jetës së njerëzve dhe ekonomisë,” tha Anna Bjerde, nënkryetare e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Ajo theksoi se Ukraina ka ende nevojë për mbështetje të madhe financiare për projektet e rimëkëmbjes dhe rindërtimit.

Aktiviteti në Eurozonë, siç thuhet në raport, u përkeqësua ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit 2022, për shkak të ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit, rritjes së presioneve financiare dhe rënies së besimit të konsumatorëve dhe bizneseve.

Si efektin më të dëmshëm të pushtimit të Ukrainës, Banka Botërore përmendi rritjen e çmimeve të energjisë për shkak të një reduktimi të madh të furnizimeve ruse me energji.

“Ngjarjet e zgjatura ose të intensifikuara të luftës mund të shkaktojnë dëme dukshëm më të mëdha ekonomike dhe mjedisore dhe të kenë një potencial më të madh për fragmentimin e tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare. Rreziku i stresit financiar mbetet gjithashtu i lartë, duke pasur parasysh nivelet e larta të borxhit dhe inflacionit”, deklaroi Banka Botërore.

Në shtojcën e raportit, është hetuar edhe ndikimi i krizës energjetike, ku thuhet se rritja e çmimeve të naftës, gazit dhe qymyrit nga viti 2021 e ka sjellë inflacionin në një nivel që “nuk është parë në rajon për dekada”.

Thuhet se kjo krizë e paprecedentë prek si konsumatorët ashtu edhe qeveritë duke kufizuar aftësinë e tyre për buxhetim, produktivitetin e bizneseve dhe mirëqenien e familjeve.

Sipas raportit të Bankës Botërore, goditja më e rëndë do të jetë vendet që mbështeten në një masë të mesme ose të madhe në importin e gazit natyror për ngrohje (i cili përbën 30 për qind të kërkesës për energji), industrisë ose energjisë elektrike, si dhe vendet e lidhura ngushtë në tregjet e energjisë të BE-së.

Raporti fokusohet gjithashtu në sistemet e mbrojtjes sociale në rajon, të cilat luajtën një rol kyç në mbështetjen e familjeve dhe bizneseve gjatë pandemisë dhe që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.

Raporti vlerëson efektivitetin e masave për mbrojtjen e të ardhurave dhe vendeve të punës, ku shpenzimet më të larta për masat për mbrojtjen e vendeve të punës shoqërohen me punësim më të lartë dhe më pak varfëri. /KP/

Read Previous

MASHTI merr vendim, nga kjo e shtunë nis kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës

Read Next

Angela Merkel fiton çmimin e OKB-së për refugjatët