Azemi: Nga 5 tetori mund të rifillojë greva e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë

Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë mund të rikthehen në grevë nga 5 tetori, nëse nuk ndërmerren hapa për zbatimin e vendimit për pagën minimale.

Paralajmërimin e ka bërë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili ka thënë se institucionet janë njoftuar paraprakisht për kërkesat e punëtorëve.

Azemi deklaroi se sindikata kishte paralajmëruar Komunën e Prishtinës që në fillim të gushtit se do të ndërmerrte masa sindikale nëse pagat për muajt korrik dhe gusht nuk do të përshtateshin me vendimin për pagën minimale.

Sipas tij, greva ishte zhvilluar më 1 shtator në shkollat fillore dhe të mesme. Ai tha se në rastin e shkollave fillore, kompania që ofron shërbimet kishte mbuluar diferencën për pagën minimale me fondet e veta, por një situatë e tillë mund të mos përsëritet edhe për muajin shtator.

Azemi e lidh këtë me, siç tha ai, mosveprimin e Komunës së Prishtinës.

“Ne dikur në fillim të gushtit e kemi paralajmëruar Komunën e Prishtinës se nëse punëtorët për muajin gusht dhe korrik nuk paguhen konform vendimit të Qeverisë lidhur me pagën minimale, do të futemi në grevë. Ne më 1 shtator kemi hyrë në grevë edhe në shkollat fillore edhe në shkollat e mesme”, ka deklaruar Azemi.

Ai shtoi se, nëse çështja nuk zgjidhet, punëtorët teknikë mund të rikthehen në grevë më 5 tetor.

“Për këtë shkak, sipas të gjitha gjasave, që nga 5 tetori prapë shkollat fillore do të hyjnë në grevë”, u shpreh ai.

Paralajmërime edhe për Qendrën e Studentëve

Sindikata, sipas Azemit, ka njoftuar edhe Qendrën e Studentëve për të njëjtën çështje.

Ai tha se punëtorët teknikë atje nuk janë paguar për muajin korrik në përputhje me vendimin për pagën minimale. Të njëjtin problem, sipas tij, e kanë edhe punëtorët e një kompanie private që ofron shërbime për KEK-un.

“Të gjitha njoftimet i kemi bërë te institucionet dhe ne presim reflektimin e këtyre institucioneve. Mirë kishte me qenë ta bëjnë këtë, nëse nuk e bëjnë, neve nuk na mbetet rrugë tjetër vetëm se të fillojmë me grevë, ashtu siç e kemi paralajmëruar”, ka thënë Azemi.

Duke folur për nivelin e pagave, ai ka theksuar se sindikata nuk po kërkon thjesht rritje page përmes një marrëveshjeje mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, por zbatimin e një vendimi për pagën minimale.

Sipas Azemit, paga minimale prej 500 eurosh bruto duhet të respektohet dhe nuk duhet të trajtohet si një çështje negociimi.

“Kur paga minimale në Kosovë është 500 euro bruto, atëherë këtu s’kemi çka bisedojmë për paga. Është vendim, është ligj që duhet të respektohet”, deklaroi ai.

Azemi ngriti shqetësime edhe për punëtorët që, sipas tij, vazhdojnë të marrin paga nën këtë nivel.

Ai tha se aktualisht ka punëtorë që paguhen me rreth 350 euro dhe vlerësoi se kjo shumë është e pamjaftueshme për një familje prej katër anëtarësh.

Ndërkohë, sindikata thotë se tashmë i ka adresuar kërkesat te institucionet përkatëse dhe është në pritje të reagimit të tyre. /tvsyrivision/

Read Previous

Erdogan: Do ta përkrahim Kosovën për ta siguruar vendin e merituar në komunitetin ndërkombëtar

Read Next

Taulant Xhaka për Granitin: Mos harroni se sa krenari ka treguar për Zvicrën