Autobusët nga Kosova të bllokuar, automjetet me targa tjera qarkullojnë pa asnjë problem

Në vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë e Kroacisë dhe Serbisë e Hungarisë, qarkullimi i automjeteve me targa të tjera po vazhdon normalisht, derisa autobusët nga Kosova vazhdojnë të jenë të bllokuarraporton Express.

Në pamjet live nga kufinjtë, shihen automjetet me targa tjera duke lëvizur pa asnjjë problem.

Mbi 10 autobusë nga Kosova, me qindra udhëtarë, janë bllokuar nëpër këto vendkalime kufitare nga autoritetet serbe që nga mbrëmë. Udhëtarëve u janë marrë edhe dokumentet personale.

Bllokada erdhi disa orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE.

MPJD ka thënë se për këtë bllokadë ka njoftuar shtetet e QUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera institucione ndërkombëtare, derisa ka apeluar të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën.

”Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim. Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë MPJD.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka thënë se kjo bllokadë paraqet shkelje të qartë të dispozitave të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, OEAK i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës për të mundësuar lëvizjen e qytetarëve për në destinacionet e dëshiruara.

“Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e ngjashme në të ardhmen duke respektuar angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve. Si përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar që të avokojë për parimet e lëvizjes së lirë, bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit ekonomik në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha palët e interesuara për të adresuar çdo sfidë dhe pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve”, thuhet në komunikatë./Express

Read Previous

SHBA dhe BE synojnë sanksione të reja ndaj Iranit

Read Next

KB ”Vëllaznimi” nesër pret fitore kundër Prishtinës