Australi, vazhdojnë operacionet e shpëtimit pas përmbytjeve

Përpjekjet e shpëtimit në shtetin australian Queensland vazhduan edhe sot pasi shirat e dendur shkaktuan përmbytje në pjesët veriore të vendit.  Ekipet e shpëtimit kanë shpëtuar më shumë se 250 njerëz nga çatitë, ndërsa evakuimi i më shumë se 100 njerëzve nga zona Wujal Wujal pritet të përfundojë sot.

“Për sa i përket evakuimit të Wujal Wujal, aktualisht kemi parashikuar se mund të evakuojmë deri në 120 njerëz sot”, tha brigadieri Richard Peace në një konferencë të përbashkët për media në Brisbane me kryeministrin australian, Anthony Albanese.

Ai shtoi se operacionet e shpëtimit do të vazhdojë deri të mërkurën pasi edhe Forcat e Mbrojtjes Australiane janë dislokuar për të ndihmuar autoritetet lokale.

Albanese mbërriti në Queensland pasi përmbytjet shkatërruese shkaktuan dëme masive në disa pjesë të shtetit.

“Kjo është një kohë e vështirë për banorët e Queensland që janë prekur nga përmbytjet”, tha kryeministri ndërsa qeveria e tij njoftoi gjithashtu 1.000 dollarë australianë (615 euro) për të rriturit dhe 400 dollarë australianë (246 euro) për fëmijët në zonat e prekura.

Albanese më parë deklaroi për radion lokale FM Cairns se efektet e kësaj fatkeqësie natyrore ishin “mjaft të pazakonta dhe se do të duhet kohë rajonit të të rimëkëmbet”.

Për shkak të përmbytjeve shumë rajone, përfshirë qytetet Cooktown dhe Innisfail kanë mbetur pa energji elektrike dhe kanë përfunduar ushqimet. Pas shirave të dendur lumenjtë kanë vërshuar dhe janë përmbytur shtëpitë.

Qindra persona ende presin të evakuohen në zona të sigurta.

Ish-kryetari i bashkisë, Desmond Tayley në një deklaratë për ABC News tha se kanë “shqetësime serioze” për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar dhe se krokodilët përbëjnë rrezik të madh për banorët e zonës.

Drejtoresha e policisë në Queensland, Katarina Carrol tha se deri më tani nuk ka të vdekur ose të plagosur për shkak të katastrofës. Ajo vuri në dukje se disa persona janë bllokuar në çatitë e shtëpive të tyre.

Disa avionë kanë mbetur nën ujë

Më tej bëhet e ditur se disa avionë në aeroportin e qytetit Cairns kanë mbetur nën ujë. Në pamjet e ardhura nga rajoni, ka tërhequr vëmendjen që një krokodil i rrëmbyer nga përmbytja kalon në mes të qytezës.

Byroja Shtetërore e Meteorologjisë bëri të ditur se vërshimet po zvogëlohen, por reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Nuk janë regjistruar reshje të konsiderueshme në pellgjet e lumenjve Daintree dhe Mossman që nga ora 9 e mëngjesit të së martës. Për ditët në vijim parashikohen shira dhe stuhi”, tha Zyra Meteorologjike.

/abcnews/

Read Previous

SHBA shton trupat në shtetin pranë Rusisë

Read Next

Ngjarje e rëndë në Itali, humb jetën 24 vjeçarja shqiptare