GJKKO cakton masën e sigurisë për “Baronin e drogës” Gëzim Çela

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë arrest në burg për Gëzim Çelën, të konsideruar ndryshe si “baroni i drogës” në Fushë Kuqe.

Në seancën gjyqësore në GJKKO, Gëzim Çela nuk ka pranuar që të flasë. Avokati i Gëzim Çelës kërkoi masën e sigurimit arrest në shtëpi me argumentin se nuk ka prova që ta lidhin atë me trafikun e drogës gjatë operacionit “Flakë në det”, por gjykata nuk e mori parasysh dhe e la në burg.

Ai akuzohet për trafik të lëndëve narkotike në Europë. Gëzim Çela u ekstradua nga Kosova drejt vendit tonë dy ditë më parë, pasi ishte arrestuar në Ferizaj në fillim të Dhjetorit 2023 me dokumente false si shtetas kosovar.

Gëzim Çela ka qenë në kërkim nga autoritetet shqiptare për rreth 10 vite.

Fillimisht u shpall në kërkim në vitin 2014 për ngritjen e një laboratori të përpunimit të kokainës në Fushë Kuqe dhe më pas u dënua në mungesë nga ish-Gjykata për Krime të Rënda.

Gjatë kësaj kohë ai qarkulloi i lirë dhe ra në rrjetën e një tjetër hetimi të finalizuar në gusht të 2023 nga SPAK, për një rast të trafiku të lëndëve narkotike që do të bëhej me shkëmbim në det. Policia thotë zyrtarisht se 56-vjeçari akuzohet si kreu i një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Europë

Kështu, Gëzim Çela ka nisur që të shlyejë edhe dënimin e dhënë nga ish-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në 7 Dhjetor 2015, i dënuar në atë kohë me 10.8 vite burg. /tvklan.al

Read Previous

​Trajtimi i zgjebës, dermatologia Kokollari: Pacientët reagojnë keq dhe ndihen të stigmatizuar

Read Next

Në dy muajt e parë të 2024-ës, mbi 600 gra denoncuan dhunën në Shqipëri