Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e tij të fundit për gazetarin e Euronews, Sergio Cantone, ka thënë se Kosova shumë shpejtë do të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Shumica dërmuese e anëtarëve të Këshillit të Evropës, thotë Kurti, janë pro sa i përket pranimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.
“Shpresoj se tani do të shpejtohet procedura për të pasur votimin përfundimtar atje. Për ne është shumë e rëndësishme sepse do të ishe më e dobishme për vetë qytetarët sesa për vendin”, ka thënë Kurti.
Kosova më 12 maj të vitit të kaluar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.
Për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, Kosova duhet të kalojë tre faza të votimit.
Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ndërsa aplikimi i Kosovës që nga maji i vitit të kaluar ka mbetur i ngujuar në fazën e parë.
Në këtë fazë, Komiteti i Ministrave duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në të shumtën e rasteve Serbia ka pretenduar se se ka arritur t’i bind shtetet anëtare të Këshillit të Evropës për të mos e diskutuar çështjen e anëtarësimit të Kosovës në mbledhjet e Komitetit të Ministrave, duke cilësuar këtë si një “fitore të vogël diplomatike”. /Albanianpost.com