Abdixhiku tregon qëndrimin e tij për ‘Open Balkan’

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka treguar se cili është qëndrimi i tij për ‘Open Balkan’.

“Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike – secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’, ka thënë ai duke shtuar se njohja duhet të vij para bashkëpunimit pa kufij, transmeton IndeksOnline.

Sipas tij, ‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb – dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri.

“Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona – kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga Kryeministri ynë – ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim”, ka thënë ai.

Kosova, sipas kreut të LDK-së duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë – shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”./IndeksOnline/

Read Previous

Alergjia nga dielli: Çfarë duhet të dini dhe si të kujdeseni

Read Next

​Kurti reagoi për Konferencën e Londrës si opozitar, por jo edhe si Kryeministër