Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mbajtur konferencën ndërkombëtare me temën “Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e të burgosurve në Kosovë: Implikimet në Standardet e të Drejtave të Njeriut”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me akomodimin e të burgosurve danezë Kosova do të përfitojë një donacion milionësh, para të cilat, siç tha ajo, do t’i orientojë në sistem të drejtësisë, Shërbimin Korrektues të Kosovës, por edhe për energjinë e ripërtritshme.
“Ministria e Drejtësisë në Kosovë zotohet për ofrimin në shfrytëzim të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan për të burgosurit të cilët do të sillen nga Mbretëria e Danimarkës dhe po ashtu si kompensim për këtë Republika e Kosovës përfiton një donacion milionësh që do ta orientojë më pas edhe për sistemin e drejtësisë dhe për shërbimin korrektues të Kosovës por po ashtu edhe për energjinë e ripërtritshme”, tha ajo.
Ajo theksoi se e vlerëson faktin se Kosova është konsideruar si palë serioze lidhur me këtë çështje, ndërkohë që bëri të ditur se kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Danimarkën rreth transferimit të të dënuarve.
“Republika e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që t’i ndihmojë Mbretërisë së Danimarkës, me kërkesën që ka pasur, me transferimin e të dënuarve që aktualisht mbahen në burgjet e Mbretërisë së Danimarkës, për faktin se Mbretërinë e Danimarkës është një shtet mik i yni dhe i ka ndihmuar Republikës së Kosovës për vite të tëra, prandaj besoj se në rrethana të tilla kur ne apo një shtet mik ka nevojë për ne, është mirë që t’i gjendemi pranë. Unë vlerësoj faktin që Republika e Kosovës është vlerësuar si serioze për idenë e transferimit të të dënuarve që aktualisht mbahen në institucionet korrektuese në Mbretërinë e Danimarkës. Unë jam e bindur që Mbretëria e Danimarkës do të synonte edhe ndonjë vend tjetër natyrisht që kjo do të mund bëhej, por besoj që është vlerësuar administrimi i mirë i institucioneve korrektuese po ashtu edhe avancimi i respektimi i të drejtave të personave të privuar nga liria, por po ashtu edhe kapacitetet e mjaftueshme akomoduese të institucioneve korrektuese”, potencoi Haxhiu
Drejtoresha e QKRMT-së tha se janë të pakta shtetet të cilat kanë arritur ta realizojnë këtë lloj të marrëveshjes.
“Ky lloj i marrëveshjes konsiderohet unik në praktikën e së drejtës ndërkombëtare dhe janë pak raste në Kontinentin Evropian kur shtetet e kanë arritur këtë lloj marrëveshjeje. Për Kosovën do të jetë rast i veçantë nga dy këndvështrime, e para si marrëveshje bilaterale dhe e dyta përgjegjësia ndaj instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, tha ajo
Ndërkaq, avokati i popullit, Naim Qelaj, foli për rëndësinë e aktiviteteve të cilat do të mbahen në këtë Qendër të Paraburgimit në Gjilan, pasi që siç tha ai, ka persona të cilët janë të dënuar me dënime të gjata.
“Edhe sot këtu e kisha bërë si pyetje, kisha filluar prej faktit pasi është me rëndësi të kuptohet se cili… ligj do të zbatohet në këtë Qendër Korrektuese, ai danez apo kosovar sepse varësisht nga juridiksioni ose ligji që zbatohet rrjedhin edhe përgjegjësitë edhe detyrimet për palën kontraktuese apo autoritetet që veprojnë në mbikëqyrje të kësaj qendre korrektuese. Me rëndësi është të dihet se çfarë regjimi do tu ofrohet të burgosurve se a do të kenë aktivitete të mirëfillta në dispozicion, trajnim edukim, punësim, aktivitete që janë të parapara në program të trajtimit dhe mbikëqyrjes së burgosurve në qendrat korrektuese në Kosovë, sidomos për ata që janë mund të kenë dënime me burg më të gjatë sepse është shumë e rëndësishme edhe aspekti i socializmit dhe fakti se kush janë këta të burgosur dhe se nga vijnë”, tha ai.