Një gala mbrëmje ishte planifikuar të mbahej me rastin e ditës së Pavarsisë së Kosovës në New York të Amerikës, e cila është shtyer me datë 15 maj për shkak të pandemisë COVID-19.
Kjo mbrëmje ka për qëllim mbledhjen e mjeteve të cilat do të shkojnë në mbështetje të shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë. E njejta mbrëmje ishte organizuar edhe në vitin 2018, event ky që pati një jehonë të jashtëzakonshme në Amerikë. E gjithë kjo iniciativë është rezultat i biznesmenit Ramiz Kukaj që njëherit është pronar i rrjetit të restoranteve “Çka ka qëllu” në Amerikë.
Idea për këtë iniciativë lindi në momentin kur e pa një foto të nënës Ferdonije Qerkezi e cila ishte e ulur në tavolinën bosh.
Planet për këtë event tashmë kanë filluar dhe Kukaj thotë që edhe kësaj radhe pret mbështetjën e shqiptarëve të Amerikës që sipas tij nuk do të mungojë.
Emra të njohur të këngëtarëve shqiptarë i janë bashkuar kësaj nisme e disa na i zbuloi edhe vet Kukaj.
Kjo është ngjarja më e madhe që ka bërë bashkë shqiptarët e Amerikës në mbështetje të shoqatës “Thirrjet e nënave”, shtuar këtu edhe faktin se është donacioni më i madh që kjo shoqatë kishte pranuar ndonjëherë e për këtë Kukaj thotë që ndihet krenar.