Shumë prej çmimeve të produkteve bazike në vendin tonë janë rritur. Kështu të paktën thonë qytetarët, të cilët ankohen se vaji, mielli, sheqeri e produkte të tjera bazike kanë pësuar rritje të çmimit. E kjo sipas tyre është e pakuptimtë, pasi që dihet buxheti i dobët i shumë prej familjeve kosovare.
Rritja e çmimeve të produkteve të tjera bazike pritet të ndikojë në rritjen e çmimit të bukës. Këtë e konfimon edhe pronari i njërës prej furrave në komunën tonë. Neki Binaj, thotë se jo me dëshirën e tij por me rritjen e çmimeve të miellit, vajit e produkteve të tjera të domosdosme, nuk kanë tjetër zgjidhje pos rritjes së çmimit të bukës.
Prapa kamerave, rritjen e çmimit të bukës në ditët në vazhdim nuk e mohuan edhe disa nga furrat në komunën tonë. Shoqata e Mullistëve të Kosovës në deklarata zyrtare për media të tjera, ka konfirmuar se një kilogram miell në vend aktualisht kushton rreth 40 cent, nga 28 cent sa ishte më parë. Çmimi i bukës momentalisht është 40 cent, por që ditëve në vazhdim kjo mund të ndryshojë sipas furrtarëve.