Mosfunksionalizimi i sistemit të ngrohjes në sallën e sportit ‘’Shani Nushi’’ në Gjakovë, tash e sa kohë po u vështirëson sportistëve që të zhvillojnë stërvitjet dhe aktivitetet e tyre ashtu siç duhet. Basketbollistët e klubit ‘’Vëllaznimi’’ thonë se tani kur temperaturat kanë filluar të jenë më të ulëta po e kanë të pamundur të kryejnë stërvitjet sipas planit. Sipas tyre problem më i madh është gjatë stinës së dimrit sepse jo vetëm stërvitjet por edhe lojërat duhet t’i zhvillojnë në temperatura të ulëta.
Mes tjerash ata thonë se zhvillimi i ushtrimeve në këto temperatura mund të ju sjellë atyre probleme serioze me shëndetin.
Lidhur me këtë problematikë ditë më parë ne kemi dërguar email në drejtorinë e kulturës rinisë dhe sportit si dhe në zyrën e informimit pranë komunës së Gjakovës për të ditur se a do të funksionalizohet sistemi i ngrohjes në sallën e sporteve i cili dihet se ka disa vite që është dëmtuar mirëpo deri në transmetimin e kësaj kronike nuk kemi marrë asnjë përgjigje.