Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Komunën e Deçanit pas helmimit të më shumë se 1 mijë personave. Ajo ka qëndruar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për të parë nga afër gjendjen e pacientëve që po trajtohen këtu. Osmani ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka marrë të gjitha masat që kjo QKMF të furnizohet me të gjitha barnat e nevojshme për të trajtuar pacientët të cilët janë shtrirë si pasojë e helmimeve shkaku i të cilave nuk dihet ende. Nga këtu ajo kërkoi nga institucionet përgjegjëse që këtë rast ta trajtojnë me urgjencë.
Ndërsa, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vënë në dispozicion të gjithë potencialin e saj për të tejkaluar këtë situatë emergjente.
Në anën tjetër kryetari i komunës së Decanit Bashkim Ramosaj tha se niveli qendror i kanë dalë në ndihmë kësaj komune për nevoja aktuale në drejtim të tejkalimit të kësaj gjendje.Ai tha se përkundër që të dielën ishte ndërprerë uji në fshatrat ku dyshohet se është bërë helmimi, tashmë sot është lejuar përdorimi i ujit vetëm për sanitari dhe amvisëri.
Që nga e shtuna e deri më sot numri i pacientëve që po dyshohet se janë helmuar në Deçan është rreth 1 mijë e 500.Në mesin e atyre që po trajtohen në QKMF “Adem Ukëhaxhaj” është edhe Burim Dervishaj nga fshati Irzniq I cili tha se e gjithë familja janë helmuar, e që është i bindur se krejt kjo ka ardhur prej ujit.
Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha tha se ditët e kaluara kanë pasur vështirësi me barnat nga lista esenciale, por tani janë furnizuar me një kontingjent dhe po ashtu kanë marr zotimet se nuk do kenë telashe në këtë drejtim.
Në komunën e Deçanit pacientët e infektuar në paraditën e sotme i ka vizituar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj. Theksojmë se kjo komunë për shkak të situatës së krijuar ka shpallur gjendje emergjente.