Vlora Çitaku, jozyrtarisht zëvendëskryetare e PDK-së

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, pritet të zyrtarizohet në pozitën e zëvendëskryetares së PDK-së. Jozyrtarisht, Çitaku do të jetë numri 2 në partinë më të madhe opozitare, pas zgjedhjes së shokut të saj të fëmijërisë, Memli Krasniqit në pozitën e kryetarit, të shtunën. Ajo po e shoqëron Krasniqin në takime e vizita.

Memli Krasniqi ka nisur formimin e një ekipi të ri në krye të PDK-së, me të cilin synon ta kthejë sërish në pushtet partinë e dalë nga lufta. Pasi u zgjodh kryetar i PDK-së të shtunën, ai njoftoi për ndryshime shumë të rëndësishme në strukturat udhëheqëse të partisë. Krasniqi beson se përbërja e kryesisë së kaluar s’mund ta kthejë partinë aty ku ka qenë.

Deputetët e PDK-së nuk do të jenë pjesë e kryesisë së partisë. Krasniqi tha të shtunën në Konventën zgjedhore të kësaj partie se deputetët duhet të përqëndrohen vetëm në Kuvend.

“Sot beteja kryesore është në Kuvendin e Kosovës, prandaj në bindjet e mia deputetët duhet ta kenë tërë përqëndrimin e tyre vetem si deputet”, ka thënë Krasniqi kur e prezantoi platformën e tij.

Vlora Çitaku do të jetë pjesa e rëndësishme e përbërjes së ekipit të ri të kryetarit të PDK-së. Bashkë, ajo dhe Memli Krasniqi kanë nisur takimet dhe vizitat e para pas ndryshimit të udhëheqësisë së partisë.

Të dy, dje i pritën në selinë e partisë dy veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare, udhëheqësit e Kongresit Pan-Shqiptar Amerikan, Bruno Ceka dhe Martin Vulaj.

Sot, Çitaku ka publikuar një fotografi nga selia e degës së kësaj partie në Ferizaj.

Çitaku ishte ndër njerëzit e parë që ia uruan detyrën e re kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi. Përveç në Konventë, ajo e shprehu edhe në Facebook urimin e saj për të.

“Urime Memli, shoku im i fëmijërisë, bashkëudhëtari im politik tash e 17 vite! Të priftë e mbara! Bashkë!”, shkroi ajo të shtunën.

Krasniqi ka folur edhe për ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit në Shqipëri, Gent Cakajn, i cili është mik edhe i Vlora Çitakut. Me Cakajn, Krasniqi tha se do të ishte nder që të ishte në një ekip.

Sfida e parë e kryetarit dhe krysisë së PDK-së tani janë zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor. Tri ditë para se të zgjidhej kryetar i PDK-së, Krasniqi ka paralajmëruar se me të në krye, do të ketë kandidatë dhe kandidate për kryetarë komunash që më herët nuk kanë garuar./Gazetaexpress

Read Previous

Nimoni: Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme do të jetë gati në vjeshtë

Read Next

​Clark nesër viziton Kosovën, kjo është agjenda e takimeve