Murali i Nënë Terezës vendoset përkohësisht në një objekt në sheshin “Zahir Pajaziti”
Murali (mozaiku) i Nënë Terezës është vendosur në një objekt në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, përballë objektit ku më herët gjatë ditës u ndaluan punimet për vendosjen e tij.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se murali do të qëndrojë përkohësisht në këtë lokacion, deri në momentin kur të vendoset në vendin e planifikuar, në objektin ku ndodhet Ministria e Ekonomisë.
Vendosja e mozaikut, me vlerë prej 15 mijë eurosh, është shoqëruar me përplasje mes Ramës, zyrtarëve komunalë dhe Policisë së Kosovës në sheshin kryesor të kryeqytetit.
Punimet në objektin e Ministrisë së Ekonomisë ishin ndërprerë pas një vendimi të Prokurorit të Shtetit, me të cilin kërkohet pezullimi i tyre deri në marrjen e një vendimi nga gjykata.
Policia kishte bërë të ditur se po vepronte në bazë të këtij vendimi, ndërsa Rama e kishte kundërshtuar ndërhyrjen, duke e cilësuar atë si bllokim politik dhe duke këmbëngulur se Komuna kishte vepruar në kuadër të kompetencave të saj.
Ndërkohë, vendosja e përkohshme e muralit në një objekt tjetër në sheshin “Zahir Pajaziti” vjen në pritje të zgjidhjes së kontestit institucional dhe vendimit të gjykatës për lokacionin fillestar. /tvsyrivision/

