Përkushtim i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ushtarak Kosovë-Shqipëri
Me kërkesën për njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale, sot në Prishtinë është protestuar kundër vrasjes së grave.
Protestuesit, të organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), janë nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti”, duke marshuar drejt objektit të Qeverisë së Kosovës.
Me moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi institucionale, drejtësi për viktimat dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjes së grave.
Gjatë protestës janë shpalosur edhe pankarta të tjera, përfshirë mesazhe që lidhen me reagimin e Policisë.
Aktivistja Zana Hoxha kërkoi që femicidi të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës, ndërsa hetimet të përfshijnë të gjitha rrethanat që i paraprijnë vrasjes së një gruaje.”E para kërkesë është që femicidi duhet të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Pra femicidi duhet të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet me emërtuar atë vrasje si femicid. E hetimi duhet me u kthyer te krejt çka i ka paraprirë asaj vrasjeje”, tha Hoxha.
Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se vrasja e Arlinda Zekajt i detyron të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet për mundësitë e humbura për parandalimin e këtij rasti.
Ajo kërkoi që institucionet të reagojnë që në raportimin e parë të dhunës dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e grave.”Na detyron të kërkojmë përgjigje për mundësitë e humbura për ndërhyrje dhe për veprimet që institucionet kanë ndërmarrë apo nuk kanë ndërmarrë për ta mbrojtur jetën e saj. Nuk duhet të presim deri në vrasjen e një gruaje për të analizuar se ku ka dështuar sistemi. Institucionet duhet të veprojnë që në raportimin e parë të dhunës, t’i marrin seriozisht kërcënimet, ta vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj”, tha ajo.
Protesta është organizuar në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila shënohet më 25 nëntor. /KosovaPress/

