Liga e Kampionëve vazhdon me nëntë sfida të tjera interesante
Arsenali nuk ka arritur të shkojë përtej një barazimi 1:1 ndaj Borussia Dortmundit në Emirates, duke humbur rastin për ta vazhduar serinë prej 12 fitoreve radhazi në shtëpi në fazën e grupeve dhe të ligës së Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Mikel Artetës kaloi në epërsi në minutën e 10-të me anë të Viktor Gyökeres, i cili realizoi një gol të bukur nga distanca pas asistimit të Noni Maduekes.
Megjithatë, Dortmundi reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi në minutën e 55-të, kur Maximilian Beier shfrytëzoi pasimin e Joane Gadou për të mposhtur Kepa Arrizabalagan.
Të dyja skuadrat patën raste për golin e fitores, por asnjëra nuk arriti ta gjente rrjetën. Madje, Dortmundi ishte pranë përmbysjes, por goli i Jobe Bellinghamit u anulua për pozitë jashtë loje, ndërsa në anën tjetër Arsenali goditi dy herë shtyllën në fund të ndeshjes.
Pavarësisht barazimit, Arsenali vazhdon serinë prej 20 ndeshjesh pa humbje në kohën e rregullt në Ligën e Kampionëve, me 14 fitore dhe gjashtë barazime.
Ndërkohë, Dortmundi e çon në nëntë numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje në të gjitha garat.
Gyökeres: Luajtëm mirë dhe krijuam shumë raste
Sulmuesi i Arsenalit, Viktor Gyökeres, është shprehur i zhgënjyer që skuadra e tij nuk arriti ta fitojë ndeshjen ndaj Borussia Dortmundit, e cila përfundoi 1:1 në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Suedezi, i cili shënoi golin e vetëm të Arsenalit, vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe rastet e krijuara, duke thënë se fitorja mund të arrihej në disa mënyra.
“Mund të kishim shënuar në pjesën e dytë. Mund ta kishim fituar ndeshjen në shumë mënyra të ndryshme. Luajtëm mirë dhe krijuam shumë raste, e merituam fitoren, por ndonjëherë futbolli është kështu”, deklaroi Gyökeres.
Ai theksoi se gjëja më e rëndësishme është vazhdimi i krijimit të rasteve dhe goditjeve drejt portës, duke shprehur bindjen se golat do të vijnë në ndeshjet e ardhshme.
I pyetur nëse Arsenali është i sigurt për sigurimin e një vendi në mesin e tetë skuadrave të para, sulmuesi u përgjigj:
“Sigurisht. Jemi shumë të bindur dhe do të luftojmë për këtë”.
Madueke: Ishin dy pikë të humbura, ndaj Cityt duhet të reagojmë me fitore
Sulmuesi i Arsenalit, Noni Madueke, ka shprehur zhgënjimin pas barazimit 1:1 ndaj Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve, duke e konsideruar rezultatin si dy pikë të humbura.
Ai vlerësoi paraqitjen e skuadrës, por theksoi se Arsenali duhej t’i shfrytëzonte rastet për të marrë fitoren.
“Mendoj se paraqitja jonë, deri te goditja e fundit, ishte e jashtëzakonshme në momente të caktuara. Sigurisht që duket sikur kemi humbur dy pikë. Ka pak zhgënjim, sepse mendoj se duhej t’i merrnim të tri pikët”, deklaroi Madueke.
Ai foli edhe për ndeshjen e ardhshme ndaj Manchester Cityt, duke e cilësuar si një nga sfidat më të mira për t’u luajtur dhe duke theksuar se skuadra synon vetëm fitoren.
“Dy barazime radhazi tani dhe unë dëshiroj me gjithë zemër të fitojmë në fundjavë. E di që edhe bashkëlojtarët e mi ndihen njësoj. Do të bëjmë gjithçka për t’i marrë tri pikët. Jemi kampionë, luajmë në shtëpi dhe kemi përgjegjësi të paraqitemi mirë në Emirates. Ka gjëra që duhet t’i përmirësojmë, por në përgjithësi po shkojmë në drejtimin e duhur”, shtoi ai.
Në fund, Madueke vlerësoi edhe bashkëlojtarin Viktor Gyökeres, duke thënë se i pëlqen shumë të luajë me të dhe se suedezi ka cilësi të jashtëzakonshme shënimi. /KosovaPress/

