Britania teston IA-në për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë së Madhe (NHS) bëri të ditur sot se ka nisur ftesat për afro 700 mijë gra që të marrin pjesë në atë që e cilësoi si provën “më të madhe në botë” për depistimin e kancerit të gjirit me ndihmën e inteligjencës artificiale, transmeton Anadolu.

Prova trevjeçare do të shqyrtojë nëse IA-ja mund të përmirësojë zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe të ulë ngarkesën e punës për mjekët specialistë, njoftoi NHS-ja në një deklaratë. “Instrumenti i leximit me ndihmën e IA-së do të përdoret për të ndihmuar mjekët në shqyrtimin e imazheve të marra gjatë mamografive rutinë”, thuhet në deklaratë.

Qeveria po financon provën me 10 milionë paund (13,1 milionë dollarë) përmes Institutit Kombëtar për Kërkime në Shëndetësi dhe Kujdes. Universiteti i Warwick-ut, Universiteti i Kembrixhit dhe Fondacioni i Spitaleve Universitare të Kembrixhit në kuadër të NHS-së po e udhëheqin studimin në bashkëpunim të ngushtë me NHS England.

Drejtori klinik kombëtar për kancerin në “NHS England”, Peter Johnson tha se dallimi mes zbulimit të kancerit të gjirit në fazë të hershme dhe diagnostikimit të tij në një fazë të vonshme është “thelbësor”.

“Instrumentet e IA-së kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar në transformimin e diagnostikimit, në mënyrë që të zbulojmë më shumë raste kanceri më herët dhe t’u lirojmë mjekëve më shumë kohë për kujdesin dhe trajtimin jetik të pacientëve me kancer”, tha ai. /Anadolu Agency/

Read Previous

Nisin transferet bankare brenda sekondash në Kosovë: Si funksionon sistemi i ri?

Read Next

Sulm kibernetik ndaj Akademisë së BE-së, preken të dhënat personale