Zvicra synon të përmirësojë mësimin e gjermanishtes në kantonet frëngjishtfolëse, shqetësuese rezultatet e nxënësve

Kantonet frëngjishtfolëse të Zvicrës, së bashku me kantonin e Ticinos, synojnë të forcojnë mësimin e gjuhës gjermane që nga shkolla fillore, pas rezultateve jo të kënaqshme të nxënësve në përvetësimin e kësaj gjuhe.

Sipas Watson, një plan i ri veprimi është prezantuar më 19 nëntor në Lozanë, me synimin për ta bërë mësimin e gjermanishtes më efektiv dhe më praktik.

Drejtori i Arsimit i kantonit Vaud, Frédéric Borloz, ka deklaruar se rezultatet aktuale të nxënësve në gjermanisht në Zvicrën perëndimore nuk janë të kënaqshme dhe se nevojiten ndryshime në mënyrën e mësimdhënies, transmeton Telegrafi.

Plani përfshin përmirësimin e materialeve mësimore, përshtatjen e metodave të mësimdhënies, trajnimin dhe aftësimin e vazhdueshëm të mësuesve, si dhe zgjerimin e programeve të shkëmbimit mes nxënësve nga rajonet e ndryshme gjuhësore të Zvicrës.

Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet mundësive që nxënësit të komunikojnë drejtpërdrejt me bashkëmoshatarët që flasin gjermanisht, në mënyrë që ta përdorin gjuhën edhe jashtë klasës.

Autoritetet arsimore synojnë kështu jo vetëm përmirësimin e njohurive gjuhësore, por edhe forcimin e lidhjeve mes komuniteteve që flasin gjuhë të ndryshme në Zvicër. /Telegrafi/

Read Previous

Një muaj paraburgim për të dyshuarin që mashtroi qytetarët se është i sëmurë me leukemi

Read Next

Lutfi Dalipi pjesë e formacionit të javës në Zvicër