OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse Ligji për Specialen vazhdon të zvarritet
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, pas një debati të gjatë mes pozitës dhe opozitës, i cili vazhdoi deri pas mesnatës.
Projektbuxheti mori 61 vota për, ndërsa diskutimet u përqendruan në investimet kapitale, pagat, politikat ekonomike dhe masat sociale të planifikuara për vitin e ardhshëm.
Gjatë prezantimit të dokumentit, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se njëra nga masat kryesore është pagesa e pagës së 13-të për punonjësit publikë, si dhe rritja e koeficientit të pagave në 120 euro nga 1 korriku 2027.
Për kategorinë e pagave janë ndarë 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa projektbuxheti parasheh edhe rritjen e shtesave për fëmijë për 25 për qind nga 1 janari 2027.
Në investime kapitale janë planifikuar mbi 1 miliard euro, të cilat sipas Qeverisë do të orientohen në projekte infrastrukturore, rrugore, ujore dhe mjedisore. Në mesin e projekteve të përmendura janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël–Banullë dhe Autostrada e Dukagjinit.
Megjithatë, projektbuxheti u kundërshtua nga partitë opozitare. LDK, PDK dhe AAK kritikuan orientimin e mjeteve buxhetore, duke vënë në pikëpyetje realizimin e investimeve kapitale, ndikimin e inflacionit dhe mungesën e investimeve të mjaftueshme në arsim, energji dhe infrastrukturë.
Në përgjigje të kritikave, ministri i Financave, Hekuran Murati, mbrojti politikat ekonomike të Qeverisë, duke theksuar rritjen e numrit të të punësuarve dhe mbështetjen financiare për familjet, fëmijët dhe pensionistët.
Seanca u shoqërua edhe me ndërprerje të përkohshme për shkak të mungesës së energjisë elektrike në Kuvend.
Pas miratimit në parim, Projektbuxheti për vitin 2027 duhet të kalojë edhe procedurat e tjera parlamentare para miratimit përfundimtar.