Veron për Nico Paz: Në këtë moshë, vetëm Messi dhe Maradona bënin gjëra të tilla
Një sulm i madh kibernetik ka goditur Komisionin Evropian, duke rrezikuar të dhënat personale të punonjësve dhe duke pamundësuar për më shumë se 10 ditë përdorimin e disa sistemeve të brendshme, përfshirë ato për paga, pushime dhe rimbursime mjekësore.
Sipas POLITCIO, Komisioni beson se ka arritur ta kufizojë pjesën më të madhe të sulmit, por shkalla e plotë e dëmeve ende nuk dihet. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse të dhënat e punonjësve janë komprometuar.
Sipas zyrtarëve të BE-së, sulmi u zbulua në fillim të këtij muaji nga CERT-EU, autoriteti për sigurinë kibernetike të institucioneve evropiane. Hakerët dyshohet se përdorën ARTEX, një mjet me inteligjencë artificiale që identifikon dobësitë në sistemet informatike.
Si masë parandaluese, disa aplikacione u çaktivizuan përkohësisht, ndërsa shumicës tashmë u është rikthyer qasja. Ndër sistemet e prekura ishin platforma Sysper, për pagat, pushimet dhe oraret e punës, si dhe MyPMO, për rimbursimet mjekësore.
Komisioni Evropian konfirmoi se kishte ndërmarrë masat e nevojshme pas zbulimit të sulmit, ndërsa disa sisteme individuale ishin vënë në shënjestër.
Rasti ka nxitur edhe një takim urgjent të organit më të lartë të menaxhimit të brendshëm të Komisionit. Komisionerja për Teknologji, Henna Virkkunen, ka informuar kolegët për masat e ndërmarra.
Sulmi vjen në një kohë kur disa institucione dhe kompani të mëdha në botë janë përballur me sulme kibernetike dhe ndërprerje të shërbimeve, përfshirë Microsoft-in, banka amerikane dhe ueb-faqe si Air France, BBC dhe Zoom. /KosovaPress/