Nis seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës |Live

Ka nisur seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën janë paraparë për shqyrtim disa projektligje dhe çështje të tjera parlamentare.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, ndërsa pritet të procedohen edhe nismat legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi.

Në rend dite është edhe zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Seanca përfshin edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje. /RTKlive

Read Previous

Kurti: 1 miliard euro importe do t’i zëvendësojmë me prodhim vendor

Read Next

Sulm i madh kibernetik ndaj Komisionit Evropian, rrezikohen të dhënat personale të punonjësve