Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për grabitjen e dy argjendarive në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave, A.U. dhe L.I., të dyshuar për grabitjen e dy argjendarive në Gjakovë, më 5 dhe 16 nëntor të këtij viti.

Sipas komunikatës së Gjykatës, dy të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja”, ndërsa A.U. dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në rastin e parë, më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rrugën “Nënë Tereza”, të dyshuarit dyshohet se kishin grabitur stoli ari në vlerë prej 27 mijë eurosh, si dhe 1 mijë e 600 euro nga pazari ditor.

Ndërkaq, në rastin e dytë, më 16 nëntor, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rrugën “Sylejman Hadum Aga”, të dyshuarit dyshohet se kishin marrë stoli ari nga sirtarët e lokalit. Gjatë kësaj grabitjeje, një person që kishte ndërhyrë ishte plagosur me armë zjarri në këmbën e djathtë.

Gjykata ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Masa ndaj dy të pandehurve do të zgjasë një muaj, nga 17 nëntori deri më 17 dhjetor 2026. Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:


KOMUNIKATË PËR MEDIA

Gjakovë, 19 nëntor 2026

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj dy të pandehurve A.U. dhe L.I., shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” ndërsa i pandehuri A.U., edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera, ceket se të pandehurit A.U. dhe L.I., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të grabitjes, në dy raste të ndara dhe atë më 05.11.2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rr. “Nënë Tereza” në Gjakovë, të pandehurit, të maskuar dhe të armatosur, pasi kishin planifikuar grabitjen, kishin marrë me qira një veturë VW Passat në Deçan, së cilës i kishin vendosur targa të vjedhura. Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., i armatosur me armë automatike, kishte kërcënuar me armë të dëmtuarin N. P. dhe nënën e tij, ndërsa L. I., me çekan, kishte thyer vitrinat dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27.000 euro dhe 1.600 euro nga pazari ditor, pas çka ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, më 16.11.2026, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rr. “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë, të pandehurit, duke vepruar në të njëjtën mënyrë, kishin marrë me qira një veturë VË Golf VII në Pejë, së cilës i kishin vendosur targa të vjedhura. Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., me armë automatike, kishte kërcënuar të dëmtuarin M. S. dhe familjarët e tij, ndërsa L. I., me çekan, kishte thyer xhamat dhe kishte marrë stoli ari nga sirtarët. Gjatë grabitjes kishte ndërhyrë i dëmtuari Sh. V., ndaj të cilit A. U. kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbën e djathtë. Më pas, të pandehurit ishin larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

Me këtë vendim, të pandehurit A.U. dhe L.I., do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 17 nëntor 2026 deri më 17 dhjetor 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /tvsyrivision/

Read Previous

Eugen Arllati nga Gjakova me paraqitje shumë të mirë në Kampionatin Botëror të Picës, renditet në top 40!

Read Next

​Infantino përballet me dy rivalë në garën për presidencën e FIFA-s