Të enjten erëra të forta, ja çfarë këshillon Instituti Hidrometeorologjik
Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, pranë Parkut të Liqenit në Tiranë, po përgatitet për funksionalizim përmes një modeli të ri menaxhimi, në bashkëpunim me UNICEF-in.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se në një takim me Murat Sahin dhe ekipin këshillues të UNICEF-it në Shqipëri është prezantuar puna për hartimin e Planit të Menaxhimit të kësaj qendre.
Sipas Gonxhes, kompleksi i ri kulturor synon të krijojë hapësira moderne për edukimin artistik, zhvillimin e krijimtarisë dhe identifikimin e talenteve të reja. Programacioni do të përfshijë aktivitete në teatër, muzikë, balet, arte pamore dhe disiplina të tjera krijuese.
Një tjetër synim është krijimi i një rrjeti bashkëpunimi me qendrat kulturore në të gjithë vendin, shkollat, institucionet artistike dhe profesionistët e artit, për të zgjeruar mundësitë e pjesëmarrjes së fëmijëve në aktivitete kulturore dhe edukative.
Paralelisht me përfundimin e punimeve dhe pajisjen e ambienteve me teknologji audiovizive e skenike, po punohet edhe për modelin e administrimit të qendrës, i cili parasheh një kalendar publik aktivitetesh, shërbime digjitale, standarde sigurie dhe partneritete institucionale.
Gonxhja e ka cilësuar këtë projekt si një investim të rëndësishëm për fëmijët, familjet dhe komunitetin artistik, me synimin që Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë të shndërrohet në një pikë referimi për edukimin kulturor dhe zhvillimin e brezave të rinj të artistëve shqiptarë./KultPlus.com
