Dështon raketa Vulcan, Amazon humb 40 satelitë

Një incident i rëndë hapësinor ka ndodhur të dielën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku raketa “Vulcan” e kompanisë United Launch Alliance (ULA) – sipërmarrje e përbashkët e gjigantëve Boeing dhe Lockheed Martin – ka dështuar rreth 10 minuta pas lëshimit nga baza hapësinore Cape Canaveral në Florida.

Si pasojë e këtij dështimi, janë humbur të gjithë 40 satelitët e internetit “Amazon Leo” që ndodheshin në bord, duke shënuar kështu dështimin e parë të plotë të një misioni në historinë 20-vjeçare të kompanisë ULA.

Përmes një deklarate zyrtare, ULA ka konfirmuar se raketa e nisur nga Kompleksi Hapësinor 41 ka pësuar një anomali teknike pak minuta pas shkëputjes nga toka, duke mos arritur ta vendosë ngarkesën e Amazon-it në orbitë.

“Çdo fluturim gjeneron të dhëna dhe na mëson diçka. Meqenëse anomalia sapo ndodhi, ende nuk kemi të dhëna konkrete për të kuptuar se çfarë ndodhi sot”, thuhet në njoftimin e kompanisë, e cila tashmë ka nisur mbledhjen e të dhënave për të zbuluar shkakun e saktë të incidentit.

Goditje për planet e Amazon-it ndaj Starlink

Ky dështim pritet të pasohet nga një hetim i gjatë teknik që mund ta mbajë raketën “Vulcan” të bllokuar në tokë për disa muaj. Megjithatë, nga kompania Amazon kanë reaguar me tone mbështetëse, duke thënë se misionet e para si “LV-01” gjithmonë përfshijnë rreziqe dhe se besojnë që ULA do të nxjerrë mësime për të realizuar planet afatgjata.

Ky zhvillim e ndërlikon edhe më shumë garën e Amazon-it për të konkurruar me rrjetin “Starlink” të SpaceX, i cili dominon tregun me mbi 11 mijë satelitë dhe miliona klientë. Para humbjes së së dielës, Amazon kishte arritur të dërgonte në orbitë 398 satelitë “Leo” – që përbën vetëm rreth 12 për qind të 3,236 satelitëve të planifikuar për mbulim global – me shpresën për të nisur shërbimet e para gjatë këtij viti.

Probleme të përsëritura me motorët dhe përforcuesit
Fluturimi i së dielës ishte i pesti për raketën “Vulcan” që nga debutimi i saj në vitin 2024 dhe vinte pas një pauze nëntëmujore të shkaktuar nga hetimet e mëparshme teknike. Nën llupën e ekspertëve kishin qenë përforcuesit me karburant të ngurtë dhe motorët kryesorë “BE-4”, të prodhuar nga kompania “Blue Origin” e miliarderit Jeff Bezos.

Edhe pse motorët ishin përditësuar pas një problemi të mëparshëm me valvulën kryesore të oksigjenit, ende nuk dihet nëse ata kanë pasur rol në katastrofën e së dielës, e cila i jep fund serisë së gjatë të sukseseve të ULA-së që nga themelimi i saj në vitin 2006.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Alarmi i Netanyahut për Evropën: Raketat dhe terrorizmi i Iranit nuk ndalen në Izrael, edhe ju jeni shënjestër

Read Next

Hasani para vendimit për “Thaçi 2”: Ka shumë mundësi që të dënohen ata në Hagë, Specialja ka logjikë politike