Sondazh: Shumica e evropianëve mbështesin krijimin e një ushtrie të BE-së
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një përgjigje për Gazetën Sinjali ka folur për pritjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga pushteti i ri në Serbi, mundësinë e ndryshimit të qasjes diskriminuese dhe kërkesat që, sipas tij, duhet të adresohen nga institucionet serbe.
Kamberi ka thënë se pret që pushteti i ri në Serbi çështjen e shqiptarëve të Luginës ta trajtojë si çështje të të drejtave të njeriut, barazisë qytetare dhe përmbushjes së detyrimeve që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të proceseve të saj evropiane.
“Presim barazi para ligjit, respektim të identitetit kombëtar dhe krijimin e kushteve që shqiptarët të jenë pjesë e barabartë e institucioneve të shtetit ku jetojnë”, ka deklaruar Kamberi për Sinjalin.
Ai ka theksuar se shqiptarët janë të gatshëm për dialog serioz dhe bashkëpunim institucional, por vetëm nëse ekziston vullnet për trajtimin konkret të problemeve.
“Jemi të gatshëm për një dialog serioz dhe bashkëpunim institucional nëse shprehet vullnet për t’i trajtuar këto çështje në mënyrë konkrete. Por bashkëpunimi duhet të prodhojë rezultate, jo të mbetet vetëm në deklarata politike”, ka thënë ai.
Sa i përket mundësisë që qasja diskriminuese ndaj shqiptarëve të ndryshojë me ardhjen e pushtetit të ri, Kamberi ka thënë se kjo nuk mund të matet me deklarata, por me veprime dhe rezultate konkrete.
“Ndryshimi i qasjes nuk mund të matet me deklaratat e pushtetit të ri, por me veprimet dhe rezultatet konkrete.
Përvoja jonë shumëvjeçare na ka mësuar të jemi të kujdesshëm ndaj premtimeve. Shqiptarët e Luginës vazhdojnë të përballen me probleme serioze, nga pasivizimi i adresave, nënpërfaqësimi në institucionet shtetërore, mosnjohja e diplomave, vështirësitë në arsim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, deri te mungesa e investimeve dhe perspektivës ekonomike”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka theksuar se nuk do ta paragjykojnë pushtetin e ri, por as nuk do të shprehin besim pa parë gatishmërinë e tij për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme.
“Prandaj, nuk do të paragjykojmë pushtetin e ri, por as nuk do të shprehim një besim apriori. Do ta vlerësojmë mbi bazën e gatishmërisë për t’i zgjidhur këto probleme dhe për të zbatuar marrëveshjet e arritura më parë”, ka thënë ai.
Në përgjigjen e tij për Sinjalin, Kamberi ka folur edhe për mënyrën se si, sipas tij, shqiptarët janë trajtuar ndër dekada nga institucionet dhe politika serbe.
“Gjatë dekadave, shqiptarët janë parë, portretizuar përmes prizmit të paragjykimeve të sigurisë, dyshimeve politike dhe mosbesimit historik. Shpesh janë trajtuar si të padëshiruar, si një problem që duhet kontrolluar, madje edhe si një lloj ‘armiku i përhershëm’. Një qasje e tillë nuk mund të jetë bazë për ndërtimin e besimit ndërmjet qytetarëve dhe shtetit”, është shprehur Kamberi.
Ai ka theksuar se kërkesat e shqiptarëve të Luginës nuk janë të reja dhe nuk përbëjnë ndonjë agjendë të jashtëzakonshme, por burojnë nga nevoja për barazi dhe nga marrëveshjet që institucionet e Serbisë i kanë pranuar.
Në radhë të parë, Kamberi ka kërkuar zbatimin e Planit shtatëpikësh të vitit 2013 dhe Planit Aksional të vitit 2022, duke kërkuar edhe krijimin e një mekanizmi konkret për monitorimin dhe përgjegjësinë e institucioneve.
Një tjetër kërkesë e tij është ndalimi i praktikës së pasivizimit të adresave dhe shqyrtimi i pasojave që kjo praktikë ka prodhuar për qytetarët shqiptarë.
Po ashtu, ai ka kërkuar përfaqësim proporcional dhe real të shqiptarëve në institucionet shtetërore, veçanërisht në polici, gjyqësor, administratë dhe ndërmarrje publike.
Kamberi ka përmendur edhe nevojën për zgjidhjen e çështjes së njohjes së diplomave të fituara në institucionet arsimore të Kosovës, respektimin e të drejtave arsimore, përdorimin zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare shqiptare.
Në mesin e kërkesave janë edhe investimet konkrete në zhvillimin ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe marrja e masave që do të krijonin perspektivë për të rinjtë.
Ai ka kërkuar gjithashtu funksionalizimin e mekanizmave institucionalë të dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme me përfaqësuesit politikë shqiptarë.
Në fund, Kamberi ka theksuar se shqiptarët e Luginës nuk duhet të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe se integrimi i tyre në institucionet e Serbisë nuk duhet të nënkuptojë asimilim apo heqje dorë nga identiteti kombëtar.
“Ne jemi të hapur për partneritet dhe bashkëpunim, por jo për konformizëm politik. Dialogu nuk nënkupton heqje dorë nga të drejtat, ndërsa përgjegjësia jonë politike është të përfaqësojmë interesat e qytetarëve shqiptarë, jo të përshtatemi me teket e pushtetit”, ka përfunduar Kamberi. /GazetaSinjali/