Tani agjentët gjermanë kanë të drejtë të hyjnë fshehurazi në banesa: Çfarë u lejohet shërbimeve sekrete në të ardhmen?

Me reformën e re, shërbimi i jashtëm (BND) fiton të drejtën për ndërhyrje aktive – duke sulmuar sisteme kibernetike, bllokuar furnizimet me armë dhe përdorur Inteligjencën Artificiale -, ndërsa shërbimi i brendshëm (BfV) merr lejen e debatueshme për të hyrë fshehurazi në banesa.

Për arsye historike, shërbimet informative në Republikën Federale të Gjermanisë i kanë kushtuar gjithmonë rëndësi faktit që të kufizohen vetëm në mbledhjen e informacioneve dhe të mos ndërmarrin vetë operacione aktive. Por, pas miratimit në Bundestag të projektligjit të qeverisë federale prej gati 700 faqesh – i cili pritet të kalojë edhe në Bundesrat (Këshillin Federal, dhomën e lartë ku përfaqësohen 16 landet gjermane) në javët e ardhshme – kjo praktikë po ndryshon rrënjësisht, shkruan gazeta e Berlinit „Tagesspiegel“, në edicionin e saj të së shtunës, transmeton Telegrafi.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, është i bindur se ka arritur një sukses të madh në parlament, duke e cilësuar reformën e shërbimeve informative si një „reformë të shekullit“. Sipas tij dhe qeverisë federale, qëllimi është që Shërbimi Informativ Federal (BND), Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) dhe Shërbimi Kundërzbulues Ushtarak (MAD) të shndërrohen në „shërbime të vërteta sekrete“. Kjo reformë vjen në një kohë kur kërcënimet nga terrorizmi ndërkombëtar dhe fuqitë e huaja – siç e përshkroi presidenti i BND-së, Martin Jäger, „luftën në hije“ që Rusia po zhvillon kundër Gjermanisë – vlerësohen si shumë konkrete. Përveç pritshmërive të partnerëve ndërkombëtarë për më shumë pavarësi dhe mbështetje nga Gjermania, reforma ishte e detyrueshme edhe për arsye ligjore, pasi Gjykata Kushtetuese Federale i kishte vënë qeverisë afat deri në fund të vitit për të përmirësuar kuadrin ligjor për BND-në.

Nëse ligji miratohet përfundimisht, shërbimet sekrete gjermane do të fitojnë kompetenca të reja dhe shumë konkrete. Shërbimi i jashtëm, BND, në të ardhmen nuk do të mjaftohet vetëm me mbledhjen e informacioneve, por do të ketë leje për ndërhyrje aktive. Në situata të caktuara rreziku, agjentët e BND-së do të guxojnë të sulmojnë sende dhe sisteme të teknologjisë së informacionit, për shembull për të paralizuar grupe hakerësh ose për të penguar zinxhirët e furnizimit me armë. Njerëzit përjashtohen shprehimisht nga këto operacione, që do të thotë se nuk do të ketë „licencë për të vrarë“. Përveç kësaj, BND-ja do të ketë leje t’i ruajë të dhënat e mbledhura më gjatë: gjashtë muaj për përmbajtjet dhe 13 muaj për të ashtuquajturat meta të dhëna, ndërsa ofruesit e telekomunikacionit mund të detyrohen t’i ruajnë të dhënat e trafikut për tre muaj. Po ashtu, BND-së i lejohet përdorimi i mjeteve të Inteligjencës Artificiale (IA), ndër të tjera për identifikimin e personave të caktuar.

Edhe më të gjera dhe më të debatueshme janë lejet e reja për shërbimin e brendshëm, Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV). Punonjësit e saj, pas një miratimi paraprak, në të ardhmen do të guxojnë të hyjnë fshehurazi në banesa për të mbledhur të dhëna në vendngjarje ose për të bërë të padëmshme armët. Ata do të kenë leje të kryejnë masa të fshehta aktive kundër sendeve apo sistemeve, duke manipuluar mjete të mundshme të kryerjes së veprave penale, duke ridrejtuar të dhëna gjatë sulmeve të mundshme kibernetike dhe duke u ofruar të dyshuarve informacione të rreme. Në fushën digjitale, BfV-ja do të lejohet të lexojë pajisje private, të përgjojë telekomunikacionin e koduar dhe të kryejë analiza përmes sistemeve të IA-së. Gjithashtu, mbrojtësit e kushtetutës do të mund të kërkojnë informacione mbi komunikimin ose lëvizjet nga kompani të tilla si prodhuesit e makinave ose ofruesit e shërbimeve të pagesave. Një risi tjetër është se në raste të caktuara, edhe të rinjtë nga mosha 16 vjeç do të lejohen të angazhohen si informatorë, për shkak se rrjetet ekstremiste dhe terroriste janë bërë gjithnjë e më të reja në moshë.

Megjithatë, ligji u vendos shërbimeve edhe mekanizma kontrolli dhe kufizime të qarta. Masat veçanërisht të ndjeshme mund të ndërmerren nga BND-ja dhe BfV-ja vetëm pasi Këshilli i Pavarur Kontrollues të ketë konstatuar paraprakisht ligjshmërinë e tyre. Po ashtu, masat aktive nuk guxojnë të sjellin pasoja negative sociale ose profesionale për askënd, sekreti profesional i mjekëve, psikoterapistëve, avokatëve dhe gazetarëve gëzon mbrojtje të veçantë.

Reforma ka ngjallur kritika të forta në skenën politike. Partia „Die Linke“ (E Majta) e akuzon ministrin Dobrindt se po krijon një „polici të re sekrete gjermane“ dhe po shfuqizon ndarjen historike mes policisë dhe shërbimeve sekrete, duke krijuar një aparat të pakontrollueshëm që shkel të drejtat themelore. Nga ana tjetër, „Të Gjelbrit“ e shohin reformën si të domosdoshme përballë sfidave të sigurisë, por kritikojnë faktin se te BfV-ja kufiri me punën policore mbetet i paqartë dhe se transparenca e mbrojtja juridike për qytetarët e prekur janë zbatuar në mënyrë të mangët./Telegrafi/

Read Previous

SHBA-ja thotë se mbingarkesa e sistemit ishte shkak i ndalimit të fluturimeve

Read Next

Kompozitorët e së ardhmes me ide të reja prapakthehen në sallën e ftohtë