Presidenca sqaron situatën me fotografinë e Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë

Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me debatet e fundit në opinion publik për pretendimet se fotografia e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe Deklarata e Pavarësisë janë larguar nga hapësirat e këtij institucioni.

Nga Presidenca kanë bërë të ditur se asnjëri prej këtyre elementeve nuk është larguar dhe se të dy vazhdojnë të jenë në hapësirat e institucionit.

“Asgjë nuk është larguar nga zyra e Presidencës. Të gjitha janë aty”, thuhet në sqarimin e Presidencës.

Ky reagim vjen pas kritikave të shumta, veçanërisht nga përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë kundërshtuar atë që e kanë cilësuar si largim të fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, më herët i kishte bërë thirrje presidentes që ta rishikojë vendimin dhe t’i rikthejë ato në vendin e tyre, duke theksuar rëndësinë historike të Ibrahim Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë për shtetin e Kosovës.

Read Previous

Presion i padrejtë dhe tendencë për të heshtur zërat kundërshtues

Read Next

Kreu i Nvidia-s pagoi një agjenci për “figura të fuqishme”, Trump pranoi se kishte qenë në dijeni për gjithçka prej muajsh.