Eurodeputetët i bëjnë thirrje BE-së të ndalojë tregtinë me produktet nga vendbanimet e paligjshme izraelite

Anëtarët e Parlamentit Evropian i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) të vendosë një ndalim detyrues për tregtinë e produkteve me origjinë nga vendbanimet e paligjshme izraelite në territoret e pushtuara palestineze, duke theksuar se kërkesat për etiketim dhe masat e pjesshme nuk janë më të mjaftueshme, transmeton Anadolu.

Duke folur në një seancë të Komitetit për Tregtinë Ndërkombëtare (INTA) të Parlamentit Evropian në Bruksel, ligjvënësit i kërkuan Komisionit Evropian (KE) të paraqesë një propozim legjislativ për ndalimin e kësaj tregtie, duke argumentuar se BE-ja ka detyrim, sipas së drejtës ndërkombëtare, të mos mbështesë aktivitetet e vendbanimeve të paligjshme të Izraelit.

Kryetari i INTA-së, Bernd Lange kritikoi KE-në për përdorimin e pretenduar të mungesës së shumicës së cilësuar në Këshillin e BE-së si arsye për të mos nisur procesin legjislativ. Ai iu referua procesit legjislativ të BE-së për heqjen graduale të importeve të gazit natyror të lëngshëm nga Rusia, duke theksuar se KE-ja e kishte paraqitur propozimin pa verifikuar paraprakisht nëse kishte mbështetje të mjaftueshme nga shtetet anëtare.

“Është krejtësisht e papranueshme që në këtë rast KE-ja po e bllokon procesin dhe po fshihet pas këtij diskutimi të fshehtë me Këshillin e BE-së”, tha Lange.

Ligjvënësja spanjolle, Hana Jalloul Muro tha se deklaratat, kërkesat për etiketim dhe masat e pjesshme janë të pamjaftueshme, duke bërë thirrje për një instrument të menjëhershëm dhe detyrues në mbarë BE-në, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Mos u fshihni më pas justifikimeve për shumicat e cilësuara, unanimitetin dhe diskutimet e pafundme procedurale. Argumente të tilla janë të papranueshme përballë përmasave të këtij problemi, si në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, ashtu edhe në atë të dinjitetit dhe besueshmërisë së institucioneve tona. Është e papranueshme që BE-ja të jetë e vetëdijshme për detyrimet e saj dhe megjithatë të mos veprojë”, tha ajo.

Ajo paralajmëroi se ligjvënësit ishin të gatshëm ta çonin KE-në dhe Këshillin e BE-së përpara Gjykatës së Drejtësisë të BE-së për mosveprimin e tyre të pretenduar.

Edhe ligjvënësja holandeze, Catarina Vieira kritikoi KE-në, duke u shprehur se gjatë pesë muajve të mëparshëm nuk ishte shënuar asnjë përparim domethënës lidhur me masat tregtare ndaj produkteve nga vendbanimet e paligjshme izraelite.

Ajo argumentoi se përmirësimi i gjurmimit dhe etiketimit të këtyre mallrave nuk do ta zgjidhte problemin thelbësor, duke këmbëngulur se BE-ja duhet ta ndalojë tregtinë, në vend që thjesht të përmirësojë monitorimin e saj. Vieira theksoi se KE-ja mund të propozojë ndalimin e tregtisë në kuadër të politikës së përbashkët tregtare të BE-së, pa pasur nevojë të sigurojë paraprakisht një shumicë të cilësuar mes shteteve anëtare.

Ligjvënësi irlandez, Barry Andrews vuri në pikëpyetje qëndrimin e KE-së se mungesa e një marrëveshjeje mes shteteve anëtare e pengonte atë të paraqesë një propozim legjislativ. “Pse nuk ka propozim?”, pyeti Andrews duke i bërë thirrje KE-së të paraqesë një nismë legjislative dhe t’i japë parlamentit dhe këshillit mundësinë të negociojnë dispozitat e saj.

Duke iu përgjigjur ligjvënësve, zyrtari i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, Vladimir Janecek, tha se situata në Gaza mbetej katastrofike dhe se kushtet në Bregun Perëndimor të pushtuar ishin përkeqësuar më tej. Ai përmendi zgjerimin e planeve për vendbanime të paligjshme dhe dhunën gjithnjë e më të organizuar nga kolonët ekstremistë.

Ai shtoi se propozimet për pezullimin e disa dispozitave tregtare të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, vendosjen e sanksioneve ndaj ministrave dhe kolonëve ekstremistë izraelitë si dhe pezullimin e mbështetjes financiare dypalëshe për Izraelin, mbeteshin ende në shqyrtim. Megjithatë, për shkak të mungesës së konsensusit mes shteteve anëtare, deri më tani ishin miratuar vetëm sanksionet ndaj kolonëve ekstremistë. /Anadolu Agency/

Read Previous

Gjykata Supreme e Zvicrës ndalon bllokimin e faqeve të internetit pa bazë ligjore

Read Next

Begaj: Rihapja e ambasadës së Danimarkës në Tiranë, kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve