Kurti paralajmëron rritje të koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku 2027, premton edhe pagën e 13-të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.

Në mbledhjen e nëntë të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka njoftuar se krahas rritjes së koeficientit, nëpunësit publikë do të përfitojnë edhe pagën e 13-të, e cila është planifikuar të realizohet në pjesën e parë të vitit 2027.

“Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se buxheti i përgjithshëm për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa ka theksuar se kjo shumë, e ndarë për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, paraqet një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh.

“Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës të publikut, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj, gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës qysh në vitin e ardhshëm”, ka thënë Kurti.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se rritja e pagave do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

“E sigurisht që rritja nuk ndalet me kaq, sepse do të vazhdojë secilin vit krahas rritjes”, ka deklaruar ai.

Gjatë mbledhjes, Kurti ka folur edhe për performancën ekonomike të Kosovës, duke bërë të ditur se rritja ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti ishte 5.4 për qind, ndërsa në tremujorin e dytë 4.1 për qind.

“Sivjet, përkundër sfidave me të cilat po ballafaqohemi edhe ne, krahas gjithë botës, rritja ekonomike ka shënuar nivelet prej 5.4 dhe 4.1 për qind për tremujorin e parë dhe tremujorin e dytë përkatësisht. Kjo na vendoste vendet me rritjen më të shpejtë në rajon e më gjerë”, ka thënë Kurti.

Sa i përket planifikimeve buxhetore për vitin e ardhshëm, kryeministri ka njoftuar se buxheti i projektuar është 4.27 miliardë euro, apo 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti bazë i këtij viti.

“Për vitin 2027, buxheti i projektuar parasheh nivelin prej 4.27 miliardë euro, që është për 200 milionë euro më i lartë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe për 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i vitit 2026”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, 908 milionë euro nga buxheti i përgjithshëm janë planifikuar të ndahen për financimin direkt të komunave të Kosovës.

“E nga ky buxhet, 908 milionë euro do të shkojnë si financim direkt për komunat. Ky është buxhet rekord edhe për komunat e Kosovës dhe kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare”, ka thënë kryeministri. /Dukagjini/

Read Previous

​Ambasada britanike në Kosovë: Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve të hetohen, përgjegjësit para drejtësisë