Protesta në Tiranë, blindohet kryeministria, mbi 2 mijë policë në terren, dronë dhe agjentë civilë
Janë gjenerata e viteve 1985/86, nxënësit që para katër dekadash përfunduan klasën e tetë në shkollën “Gjergj Fishta” në Bishtazhin. Pas 40 vjetësh, këta burra e gra u kthyen sërish në bankat e kujtimeve, në oborrin dhe hapësirat e shkollës ku kishin kaluar një pjesë të bukur të fëmijërisë së tyre.
Këtë herë nuk erdhën si nxënës të vegjël, por si burra me jetë, përvoja e histori të shumta pas vetes. Megjithatë, për pak çaste, koha sikur u kthye prapa. Emocionet, kujtimet dhe nostalgjia i bënë të ndiheshin sërish ata djem e vajza të dikurshëm, që dikur vraponin nëpër korridoret e kësaj shkolle, ëndërronin dhe ndërtonin miqësi që i mbijetuan dekadave.
Drejtori i tanishëm i shkollës, Pal Quni ua riktheu edhe më shumë kujtimet përmes një fotografie të vjetër, duke ua kujtuar se si dukeshin atëherë disa prej tyre, kur ishin vetëm nxënës. Një fotografi që fliste më shumë se fjalët, që bashkonte dy kohë dhe dy pamje të së njëjtës gjeneratë.
Ndërsa gjatë këtij vikendi, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për këtë vizitë të veçantë, ata u nderuan edhe me një mirënjohje nga shkolla. Sepse vitet mund të kalojnë, flokët mund të thinjen dhe jeta mund t’i shpërndajë në rrugë të ndryshme, por shkolla mbetet gjithmonë një pjesë e zemrës.
Dhe kur njeriu kthehet aty ku ka qenë dikur fëmijë, për një çast nuk është më 40 vjet më i moshuar… është përsëri ai nxënësi që nuk i harron kurrë ditët më të bukura të jetës.
Përgatiti Eldita Muhallasani