Inteligjenca artificiale ndihmon në rikthimin e një pikture të vjedhur 20 vjet më parë

Një pikturë e shekullit XVII, e vjedhur nga një kishë në Itali para dy dekadash, është identifikuar dhe rikthyer në vendin e saj falë inteligjencës artificiale.

Zbulimi u bë në vjeshtën e vitit 2024, kur policia italiane përdori një sistem të inteligjencës artificiale për të analizuar fotografitë e realizuara në panairin e antikuarëve “Mercanteinfiera”, një ngjarje që mbledh ekspozues nga vende të ndryshme të Evropës.

Sistemi identifikoi një pikturë vaji që paraqiste një grua të re duke mbajtur një pergamenë. Ajo ngjante me një vepër të shekullit XVII, që paraqet Shën Agnesën dhe që ishte vjedhur nga kisha Virgo Potens, në qytetin Sulmona, në rajonin e Abruzzos.

Piktura kishte pësuar edhe ndryshime gjatë viteve. Në veprën origjinale, Shën Agnesa mbante në krah një qengj, por ky element ishte mbuluar me një pergamenë ku ishte shkruar një tekst në latinisht. Megjithatë, sistemi arriti të identifikonte ngjashmëritë përmes detajeve vizuale, nuancave të ngjyrave dhe formave të figurave.

Teknologjia e përdorur quhet SWOADS (Stolen Works of Art Detection System) dhe është zhvilluar nga inxhinieri i teknologjisë informative Salvatore Rapicavoli. Sistemi përdoret që nga viti 2023 nga Njësia e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, e specializuar në luftimin e krimeve ndaj artit.

Sipas raportimit të BBC-së, deri më tani kjo teknologji ka ndihmuar në rikuperimin e më shumë se 300 pikturave dhe skulpturave të mëdha, si dhe mbi 165 mijë objekteve më të vogla, përfshirë monedha, letra dhe medalje. Vlera e përgjithshme e tyre vlerësohet të kalojë 200 milionë dollarë.

Piktura e Shën Agnesës tashmë i është kthyer kishës nga ku ishte vjedhur, ndërsa personat përgjegjës për vjedhjen ende nuk janë identifikuar./KultPlus.com

Read Previous

Heidi Klum befason sërish për Halloween, këtë herë shndërrohet në një dorë të prerë