Mbi një milion turistë në 10 muaj në Berat

Me rrugicat e gurta që rrëfejnë histori shekullore, shtëpitë karakteristike që zbresin në shpatet e kodrave dhe vreshtat që kanë marrë ngjyrat e vjeshtës, Berati ofron një përvojë që shkon përtej një vizite të zakonshme turistike.

Berati është qyteti që mund të vizitohet në çdo stinë të vitit, por gjatë vjeshtës temperaturat janë akoma më të përshtatshme për të vizituar lagjet historike të qytetit, për të vizituar kalanë e Beratit dhe për t’u njohur nga afër me të gjithë qytetin, pa fluksin e sezonit veror.

Vizitorët kanë mundësi të ndërthurin shëtitjet dhe vizitat e tyre gjithashtu në kantinat e verës dhe në fshatrat turistikë që ndodhen jo më larg se 10 km nga qendra e qytetit.

Kjo e bën përvojën e tyre të plotë dhe rrjedhimisht krijon arsye për të qëndruar më gjatë sesa një vizitë njëditore.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Ceca tha për ATSH-në se “gjatë muajve janar-tetor të këtij viti Berati është vizituar nga mbi një milion turistë. Sipas të dhënave nga njësitë akomoduese dhe ato të shërbimit numri i vizitorëve është rritur me rreth 15%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

“Interesi i vizitorëve reflektohet edhe në Muzeun Ikonografik “Onufri”, i cili ka regjistruar 100 mijë vizitorë nga janari deri në fund të tetorit. Muzeu, që ndodhet brenda kalasë së Beratit, ruan vlera të rëndësishme të ikonografisë shqiptare dhe përbën një nga pikat kryesore të interesit për turistët që vizitojnë qytetin”, tha Ceca.

Gjatë vjeshtës, prodhimet sezonale, veçanërisht rrushi dhe ullinjtë, i japin një dimension tjetër përvojës turistike.

“Vizitorët mund t’i ndërthurin shëtitjet në qytet me vizitat në kantinat e verës dhe në fshatrat turistikë, që ndodhen vetëm pak kilometra nga qendra. Këto mundësi e bëjnë përvojën më të plotë dhe krijojnë arsye për qëndrime më të gjata se një vizitë njëditore”, theksoi Ceca.

Një udhëtim në Berat nis natyrshëm nga kalaja dhe lagjet historike, të cilat përfaqësojnë identitetin dhe traditën e qytetit të ruajtur ndër shekuj.

“Krahas Muzeut Ikonografik “Onufri”, Muzeu Etnografik u mundëson vizitorëve të njihen me mënyrën e jetesës, traditat dhe organizimin e banesës beratase përmes objekteve dhe artefakteve të trashëguara ndër breza. Përtej qendrës historike, fshati Roshnik përbën një tjetër pikë tërheqëse, ku turizmi ndërthuret me natyrën, prodhimet vendase dhe mikpritjen tradicionale. Edhe zona e Bogovës ofron mundësi për vizitorët që kërkojnë përvoja në natyrë, ndërsa kantinat e verës mbeten një nga atraksionet e rekomanduara gjatë vjeshtës”, tha Ceca.

Promovimi i Beratit si destinacion gjithëvjetor mbështetet në një ofertë të larmishme, ku trashëgimia kulturore e mbrojtur nga UNESCO, muzetë, arkitektura historike, tradita e verës, gastronomia dhe zonat rurale plotësojnë njëra-tjetrën.

“Në këtë drejtim, aktivitetet kulturore dhe festive gjatë dimrit kanë rëndësi për të tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj edhe jashtë muajve të sezonit turistik veror. Një rol të veçantë në pasurimin e ofertës turistike luajnë kantinat e verës, gastronomia tradicionale dhe agroturizmi. Përmes vizitave në kantina, turistët mund të njihen me varietetet e rrushit, procesin e prodhimit të verës dhe të shijojnë produktet vendase të shoqëruara me gatime tradicionale. Këto përvoja marrin rëndësi të veçantë në vjeshtë, kur vëmendja përqendrohet te vjelja e rrushit dhe prodhimet e stinës”, nënvizoi Ceca.

Edhe gastronomia përbën pjesë të rëndësishme të identitetit të zonës.

“Gatimet tradicionale, vaji i ullirit, mjalti, frutat dhe produktet e përgatitura nga familjet vendase u japin vizitorëve mundësinë të njohin nga afër traditat kulinare dhe njerëzit që qëndrojnë pas prodhimit të tyre. Për të zgjatur sezonin turistik dhe për të rritur përfitimet për ekonominë vendase është thelbësor bashkëpunimi me bizneset lokale, hotelet, bujtinat, restorantet, kantinat, strukturat e agroturizmit, guidat turistike dhe prodhuesit vendas”, tha Ceca.

Bashkia kontribuon në promovimin e qytetit dhe në krijimin e kushteve për zhvillimin e turizmit, ndërsa koordinimi i aktiviteteve me bizneset lokale ndihmon në krijimin e mundësive të reja për sipërmarrjet dhe prodhuesit e zonës.

“Synimi është zhvillimi i një modeli turizmi që sjell të ardhura më të qëndrueshme, mbështet prodhimin vendas dhe krijon mundësi punësimi”, tha Ceca.

Gjithashtu, shtoi Ceca, bashkia Berat synon të pasurojë kalendarin e aktiviteteve kulturore dhe turistike, në mënyrë që çdo stinë të ketë arsye konkrete për ta vizituar qytetin.

“Përmirësimi i informacionit dhe orientimit për turistët, si dhe bashkëpunimi me operatorët turistikë kombëtarë e ndërkombëtarë, konsiderohen gjithashtu të rëndësishëm për krijimin dhe forcimin e itinerareve turistike. Cilësia e shërbimeve, mirëmbajtja e hapësirave publike, infrastruktura dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore mbeten ndër prioritetet kryesore për konsolidimin e Beratit si një destinacion që ndërthur historinë, natyrën, gastronominë dhe përvojat autentike gjatë gjithë vitit”, tha Ceca.

Përmes pasurimit të ofertës kulturore, promovimit të produkteve vendase dhe zhvillimit të agroturizmit, Berati synon të tërheqë vizitorë në çdo stinë të vitit. Bashkëpunimi me bizneset dhe operatorët turistikë, krahas ruajtjes së trashëgimisë dhe përmirësimit të shërbimeve, synon të zgjasë qëndrimin e turistëve dhe të rrisë kontributin e turizmit në ekonominë lokale. /ATSH/

Read Previous

Zgjedhjet e mesmandatit, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut investon 116 milionë dollarë në fushatën e demokratëve

Read Next

Bayern Munich merr masa të pazakonta për të siguruar shërimin e plotë të trajnerit Vincent Kompany