Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, ka rritur mbështetjen financiare për Partinë Demokratike në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, duke angazhuar gjithsej rreth 116 milionë dollarë për kandidatët dhe organizatat që mbështesin demokratët.
Sipas raportimit të “Politico”-s, Bloomberg ka vënë në dispozicion afro 36 milionë dollarë shtesë, të cilat i bashkohen rreth 80 milionë dollarëve të dhëna gjatë muajve shtator dhe tetor.
Nga fondet e reja, 16 milionë dollarë do t’i kalojnë organizatës “House Majority PAC”, e cila mbështet kandidatët demokratë për Dhomën e Përfaqësuesve. Paratë do të përdoren për reklama televizive dhe në platformat digjitale në 10 zona zgjedhore.
Ndërkohë, 12 milionë dollarë të tjerë do të shkojnë për organizatën “Everytown for Gun Safety”, e themeluar nga Bloomberg dhe e angazhuar për kontrollin e armëve të zjarrit. Fondet do të përdoren për të mbështetur tetë kandidatë demokratë për Kongresin.
Mbështetje financiare do të marrin edhe disa kandidatë në garat për Senatin dhe postet e guvernatorëve. James Talarico, kandidat për t’u zgjedhur anëtar i Senatit amerikan, duke përfaqësuar Partinë Demokratike në Teksas, do të përfitojë 2,5 milionë dollarë, ndërsa Adam Hamilton, kandidat në Kansas, do të marrë 2 milionë dollarë.
Gjithashtu, 2,5 milionë dollarë do t’i jepen Keisha Lance Bottoms, kandidate demokrate për guvernatore në Xhorxhia, ndërsa 750 mijë dollarë do të shkojnë për Gina Hinojosa, kandidate për guvernatore në Teksas.
Këshilltari politik i Bloomberg, Howard Wolfson, tha se vendimi për të shtuar financimin në ditët e fundit të fushatës, lidhet me mundësinë për të mbështetur garat e ngushta dhe për të zgjeruar numrin e zonave ku demokratët mund të konkurrojnë.
Më herët, Bloomberg angazhoi të paktën 80 milionë dollarë për demokratët, ku 50 milionë dollarë ishin parashikuar për garat për Dhomën e Përfaqësuesve.
Mes kontributeve të mëdha ishin 24 milionë dollarë për “Everytown for Gun Safety” dhe 16 milionë dollarë për “House Majority PAC”.
Bloomberg, një nga miliarderët më të njohur në SHBA, drejtoi Nju Jorkun nga viti 2002 deri në vitin 2013.
Ai është një prej financuesve të rëndësishëm të Partisë Demokratike dhe ka mbështetur edhe fushatat e mëparshme zgjedhore, përfshirë ato të vitit 2018.
Kontributet e tij vijnë në një kohë kur edhe republikanët po investojnë shuma të mëdha për të mbështetur kandidatët e tyre.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se synon të shpenzojë mbi 400 milionë dollarë për fushatat republikane deri në ditën e zgjedhjeve, ndërsa sipërmarrësi Elon Musk ka financuar gjithashtu organizata politike në mbështetje të republikanëve.
Zgjedhjet e mesmandatit do të mbahen më 3 nëntor 2026 dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Kongresit amerikan.
Në votim përfshihen të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 vende në Senat.
Rezultati do të përcaktojë nëse republikanët do të ruajnë shumicën apo demokratët do të arrijnë të marrin kontrollin e njërit ose të të dyja dhomave të Kongresit. /ATSH/