Shiroka-Pula: Fuqizimi ekonomik i grave, thelbësor për zhvillimin e shoqërisë
Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar si të paligjshëm paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes, i cili përcaktonte se patentë-shoferi mund t’i kthehej mbajtësit vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit.
Vendimi është marrë në kuadër të një konflikti administrativ, pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës. Gjykata e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit janë dy institute të ndryshme juridike dhe nuk duhet të ngatërrohen gjatë zbatimit.
“Duke iu referuar nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, Gjykata ka konstatuar se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë. Kësisoj, sipas saj, nuk është në përputhje me ligjin që kthimi i dokumentit të kushtëzohet me përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka theksuar se një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë pa bazë ligjore.
Ndërkaq, kërkesa për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të këtij udhëzimi administrativ është refuzuar si e pabazuar. Sipas Gjykatës, këto dispozita kanë karakter procedural dhe organizativ, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e dokumentit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të patentë-shoferit, pa tejkaluar autorizimet ligjore. /RTKlive