Tri shërbimet kryesore të inteligjencës në Gjermani planifikojnë të krijojnë një sistem cloud të bazuar në teknologjinë e Google-s për shkëmbimin e dokumenteve të klasifikuara, raportuan sot transmetuesit publikë WDR dhe NDR, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit, Shërbimi i Kundërzbulimit Ushtarak (MAD), Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), e cila merret me inteligjencën e brendshme dhe Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND), përgjegjës për inteligjencën e jashtme, synojnë të përdorin një version të izoluar të platformës Google Distributed Cloud.
Sistemi, i njohur me emrin “ND-Cloud”, do të funksionojë në mënyrë të pavarur, pa lidhje të drejtpërdrejtë me internetin, raportuan transmetuesit. Të dhënat do të ruhen tërësisht brenda territorit të Gjermanisë ndërsa Google nuk do të ketë qasje në informacionet e ruajtura, sipas burimeve të cituara në raport.
Platforma do të funksionojë gjithashtu si një rrjet i veçantë informatik, i mbrojtur me masa të posaçme sigurie.
Shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë, BfV, hodhi poshtë shqetësimet se mbështetja te një kompani teknologjike me seli në SHBA mund të rrezikojë sigurinë ose të bjerë ndesh me orientimin e mëparshëm të vendit drejt ofruesve evropianë të teknologjisë.
Në një deklaratë për transmetuesit publikë, agjencia tha se zgjidhjet evropiane mbeten përparësi për forcimin e qëndrueshmërisë dhe pavarësisë teknologjike, por theksoi rëndësinë e përdorimit të teknologjive më të avancuara në dispozicion.
“Aftësia e BfV-së për të vepruar dhe për të inovuar varet drejtpërdrejt nga disponueshmëria e sistemeve moderne të teknologjisë së informacionit dhe e platformave teknologjike”, thuhet në deklaratën e agjencisë. /Anadolu Agency/