Ministri Hoti diskuton të drejtat e punëtorëve me sindikatat dhe punëdhënësit
Legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, shpreson që Michael Carrick të mos e ketë përfunduar aventurën si trajner i Manchester Unitedit, pavarësisht rezultateve zhgënjyese të skuadrës.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit thuhet se kanë nisur të shqyrtojnë alternativa për stolin e “Djajve të Kuq”.
Manchester Unitedi po kalon një periudhë të vështirë, ndërsa pozita e trajnerit Michael Carrick është vënë nën presion të madh.
Sipas raportimeve, ndeshja e së dielës kundër Bournemouthit mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij në “Old Trafford”.
Në mesin e emrave që përmenden si kandidatë të mundshëm për ta marrë drejtimin e skuadrës janë Eddie Howe, Julian Nagelsmann dhe Antonio Conte. Megjithatë, deri më tani nuk ka një vendim zyrtar për të ardhmen e Carrickut.
Ish-sulmuesi legjendar i Newcastle Unitedit dhe përfaqësueses së Anglisë, Alan Shearer, ka shprehur mbështetjen e tij për trajnerin, duke theksuar se problemet e Manchester Unitedit nuk mund t’i atribuohen vetëm personit që drejton ekipin nga banka rezervë.
“Shpresoj që kjo të mos jetë fundi për Michael Carrickun te Manchester Unitedi, por, natyrisht, rezultatet të bëjnë të shqetësohesh”, ka deklaruar Shearer për Betfair.
Ai ka theksuar se ndryshimet e shpeshta të trajnerëve nuk kanë arritur ta zgjidhin krizën e klubit, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si funksionon Manchester Unitedi në tërësi.
“Manchester Unitedi vazhdon të kalojë nga një trajner te tjetri, duke kërkuar zgjidhjen. Problemet e klubit janë të mëdha dhe ajo që ndodh në nivelet drejtuese reflektohet edhe në fushën e lojës”, ka theksuar ish-futbollisti anglez.
Sipas Shearer, një nga problemet kryesore të klubit lidhet edhe me politikën e transferimeve. Ai vlerëson se Manchester Unitedi nuk ka arritur gjithmonë t’i sigurojë objektivat e tij kryesorë në afatet kalimtare, ndërsa skuadrës i kanë munguar përforcime të rëndësishme.
“Shpresoj që ai të mos e humbasë vendin e punës, por nuk do të më befasonte nëse kjo do të ndodhte. Është e pabesueshme ajo që po ndodh në këtë klub dhe vazhdojnë të mendojnë se faji është i trajnerit. Por nuk është kështu”, ka shtuar Shearer.
Manchester Unitedi, sipas raportimit, nuk ka arritur të fitojë në shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke e shtuar presionin para përballjes me Bournemouthin.
Kjo situatë ka rikthyer në vëmendje problemet e vazhdueshme të klubit anglez, i cili, pavarësisht emrit dhe historisë së tij, po vazhdon të kërkojë stabilitet dhe rezultate të qëndrueshme. /RTKLive