Shqipëri | Protesta në ditën e dhjetë, studentë dhe pedagogë vijojnë tubimin para Kryeministrisë

Protestës së studentëve në ditën e dhjetë të saj i janë bashkuar pedagogë të universiteteve si dhe qytetarë.

Ditës së dhjetë të protestës mbajtur para Kuvendit iu bashkuan edhe përfaqësues të Dialogut Politik, pedagogët Ermal Hasimja dhe Aleksandër Biberaj.

Në një prononcim për mediet, Biberaj shprehu mbështetjen e tij për këtë protestë. “Do i bëja thirrje presidentit të Republikës, që të shohë mundësinë që të shkrijë këtë Parlament, se nuk po e kryen misionin e vet”, tha ai.

I pyetur nëse janë të hapur për dialog me Ramën, ai u shpreh i prerë jo, duke theksuar se “Edi Rama është personi më anti-dialog. Ne do të rrimë në rrugë derisa të realizohet kauza e të rinjve. Rinia do ta ndryshojë këtë vend”.

Forumi i Dialogut Politik u ka bërë thirrje pedagogëve në të gjithë vendin që t’i bashkohen nismës për kundër dhunës ndaj studentëve.

Gjatë qëndrimit përpara Kuvendit u shënuan incidente të vogla, ku disa protestues tentuan të heqin gardhin rrethues, por nuk u lejuan nga forcat e Policisë.

Aktualisht protestuesit po qëndrojnë përpara Kryeministrisë ku edhe rrëzuan stolat e gurit të vendosur para godinës mëngjesin e sotëm nga Kryeministri Edi Rama si një ftesë drejtuar studentëve për dialog. /ATSH/

Read Previous

Balla: Partia Demokratike po strehon persona të kërkuar nga policia për zjarrvënie

Read Next

Amorim kërkon fitore në Angli, Cisse është “arma” e tij e fortë