Rama: Në Tiranë më shumë policë të lënduar gjatë protestave se në çdo vend të Evropës
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ka folur për subvencionimin e protezave për invalidët e luftës, buxhetin për barna, furnizimin e Klinikës së Onkologjisë dhe investimet në shëndetësinë publike.
Vitia u ka bërë thirrje invalidëve të luftës, ushtarëve dhe civilëve, që të aplikojnë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për mbulimin e shpenzimeve të protezave. Ai ka thënë se është krijuar një sistem i institucionalizuar për këtë proces.
“E para, më lejoni për çështjen e parë që u ngrit të bëj thirrje për secilin invalid të luftës, qoftë si ushtar apo invalid civil, që të bëjnë kërkesë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe i garantoj se secila lëndë do të trajtohet”, tha ai.
Sipas Vitisë, institucionalizimi i procesit është bërë në bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta, me qëllim të sigurimit të mbështetjes për invalidët që kanë nevojë për proteza.
“Dhe shpeshherë kanë hasur në telashe dhe për këtë arsye, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, në veçanti me Organizatën e Veteranëve e Invalidëve të Luftës, e kemi bërë një sistem ku e kemi institucionalizuar këtë proces dhe tani as edhe një invalid i luftës po e përsëris qoftë civil apo ushtar, nuk ka shans të mos i përgjigjet me subvencionim të plotë”.
Ministri ka folur edhe për raportimet lidhur me vdekjen e një pacienteje në Klinikën e Onkologjisë, duke kritikuar publikimin e informacioneve pa verifikim të shkakut të vdekjes.
“Një shoqatë e bën një status ku thotë që një paciente ka vdekur për shkak të mungesës së barnave. Klinika e Onkologjisë bën përpjekje që të kontaktojë me këtë shoqatë. Fillimisht, e pamundur. Pastaj, një gazetare, pa bërë asnjë verifikim të lajmit, e paraqet menjëherë bile edhe në lajmet qendrore të një meidiumi”.
Vitia ka theksuar se përcaktimi i shkakut të vdekjes kërkon procedura përkatëse dhe ka kritikuar raportimin e bazuar vetëm në një publikim në rrjetet sociale.
“Për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura të tjera për të qenë i qartë. Nuk mundet as mjeku me konstatu shkakun e vdekjes në raste të tilla. Duhet një sërë procedurash për të dalë me konstatime, kurse gazetarja e siç shihet jo vetëm gazetarja, por edhe të tjerë dalin dhe këtë konstatim e bëjnë nga një status që ka qenë në Facebook”.
Ai e ka cilësuar këtë mënyrë raportimi si të pasaktë dhe të dëmshme për informimin e publikut.
“Natyrisht kjo është zgjedhje e tyre, por është zgjedhje tendencioze, është zgjedhje e pasaktë dhe është zgjedhje që e keqinformon publikun”, shtoi Vitia.
Duke folur për buxhetin e barnave, Vitia ka deklaruar se ai është rritur nga 21 milionë euro në 70 milionë euro, ndërsa buxheti për Klinikën e Onkologjisë, sipas tij, ka arritur në 22 milionë euro.
“Kur Qeveria Kurti 2 ka marrë detyrën, buxhetin për barna në total e kemi gjetur 21 milionë euro. Tash buxheti është 70 milionë euro! Dhe a e dini sa është buxheti për Onkologji sot? 22 milionë euro. Domethënë, buxhetin e të gjitha barnave e kemi gjetur 21 milionë euro, tani buxhetin vetëm për Onkologji e kemi 22 milionë euro”, nënvizoi Vitia.
Ministri ka theksuar se këto shifra tregojnë ndryshimin e buxhetit për barna dhe për Klinikën e Onkologjisë, duke shtuar se puna për përmirësimin e furnizimit duhet të vazhdojë.
“Natyrisht se kjo është puna jonë dhe natyrisht se duhet të punojmë akoma. Prandaj, nuk është vetëm ideja për të bërë dallimin me atë çfarë kemi trashëguar, se besoj edhe qytetarët e të gjithë e dinë çfarë kemi trashëguar, por janë shumë të rëndësishme këto shifra: 21 milionë ishte buxheti total, 70 milionë buxheti total tash; ishte 8 milionë buxheti për Onkologji, tani 22 milionë”, tha ai.
Vitia ka përmendur edhe shtimin e barnave onkologjike në listën esenciale, përfshirë Palbociclib-in dhe Ribociclib-in. Ai ka thënë se këto barna janë përfshirë në listë deri në mesin e vitit 2025.
“Vetëm në këto tre vitet e fundit janë shtuar edhe një mori e barnave në listën e barnave esenciale, me theks të veçantë ato onkologjike, përfshirë këtu edhe Palbociclib-in, edhe Ribociclib-in. Deri në mes të vitit 2025, këto barna nuk kanë qenë në këtë listë”.
Ministri ka pranuar se gjatë furnizimit me këto barna ka pasur edhe mungesa të herëpashershme, duke i lidhur ato me rritjen e kërkesës dhe ndikimin në buxhet.
“Natyrisht se kjo ka pasur implikime të dyfishta buxhetore dhe është e vërtetë se herë pas here edhe mungesë të këtyre barnave”.
Megjithatë, Vitia ka deklaruar se, edhe në periudhën më të vështirë të furnizimit, niveli i furnizimit në Klinikën e Onkologjisë nuk ka rënë nën 70 deri në 75 për qind.
“Por, edhe gjatë kësaj kohe, atëherë kur furnizimi ka qenë më së me të keqti në këtë klinikë, kurrë nuk ka qenë më poshtë se 70-75%. Po flas më së me të keqti kur ka qenë”.
Në pjesën përmbyllëse të deklarimit, ministri ka thënë se shëndetësia publike vazhdon të përballet me sfida, por ka premtuar investime të mëtejshme në barna, infrastrukturë dhe pajisje moderne.
“Shëndetësia publike vazhdon të mbetet sfidë, por ju siguroj që nuk ka ditë që nuk punohet në përmirësimin e saj. Është bërë shumë e do të bëhet akoma më shumë sepse kemi mbështetjen edhe të kryeministrit, edhe të ministrive të tjera”.
Ai ka paralajmëruar se buxheti për barna do të rritet edhe më tej.
“Edhe do të rritet buxheti për barna akoma më shumë, jo gati katërfish sa është tash, do ta bëjmë mbi pesëfish”.
Vitia ka përmendur edhe investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe pajisjet mjekësore.
“Edhe investime në infrastrukturë, të cilës nuk i është dhënë asnjë dorë për dekada . Edhe aparatura moderne, që para disa viteve as që është imagjinuar ose diskutuar se do të jenë presente në Kosovë”.
Në fund, ministri ka folur për punën në Sistemin Informativ Shëndetësor dhe Sigurimet Shëndetësore, duke thënë se institucionet do të vazhdojnë të përballen me sfida edhe pas zbatimit të këtyre reformave.
“Po punohet me intensitet të lartë edhe për SISH-in, Systemin Informativ Shëndetësor, dhe Sigurimet Shëndetësore. Edhe pas tyre, edhe kur të implementohen, prapë do të kemi sfida. Sfidat do të jenë të pandalshme në shëndetësi. Sfidat nuk do të mbarojnë kurrë”.
Vitia ka përfunduar duke u shprehur se puna për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore do të vazhdojë, me synimin që qytetarët të kenë më shumë barna dhe shërbime.
“Por atë që dua t’ju siguroj është se po punohet çdo ditë dhe sot institucionet tona publike janë shumë më mirë se dje dhe me më shumë barna e me më shumë shërbime. Dhe ju garantoj që nesër do të jenë shumë më mirë se sot”, tha ai. /RTKlive