Apple pret shitje rekord për iPhone 18, zbulohen detajet e para
Tranzicioni drejt energjisë së pastër, siguria e furnizimit, investimet në burimet e ripërtëritshme dhe krijimi i kushteve të favorshme për investitorët ishin ndër temat kryesore të diskutuara në panelin “Energjia dhe qendrat e të dhënave të IA-së”, në kuadër të Samitit të Ballkanit.
Zëvendësministri i Ekonomisë i Kosovës, Getoar Mjeku, tha se sektori energjetik i vendit vazhdon të jetë shumë i varur nga qymyri, por synimi është ndërtimi i një sektori të qëndrueshëm dhe të gatshëm për integrim në tregun evropian.
“Sektori ynë energjetik është shumë i varur nga qymyri, por vizioni ynë është të ndërtojmë një sektor të qëndrueshëm, i cili është i gatshëm të integrohet në tregun evropian. Për këtë qëllim, kemi një strategji ambicioze, por realiste, që mbulon periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2031.Ne po trajtojmë të ashtuquajturën trilemë energjetike, ose, trekëndëshin e interesave që duhet t’i balancojmë. Këto tri interesa janë dekarbonizimi ose mbrojtja e mjedisit, siguria e furnizimit me energji dhe përballueshmëria e çmimeve. Për këtë arsye, nga njëra anë, po punojmë për rinovimin e kapaciteteve ekzistuese, investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe integrimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë.Nga ana tjetër, po investojmë gjithashtu në efiçiencën e energjisë, me qëllim të uljes së kërkesës aty ku është e mundur dhe të sigurimit të energjisë aty ku nevojitet më së shumti, veçanërisht në sektorin terciar… Kemi pranuar ofertat financiare nga tri kompani me reputacion dhe pritet që vendimi për dhënien e kontratës të merret brenda këtij viti. Pas përfundimit të ankandit aktual, vitin e ardhshëm do të organizohet një tjetër ankand për kapacitet deri në 200 megavat. Gjithashtu, kemi nënshkruar një marrëveshje me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), e cila po punon ngushtë me ne për të siguruar krijimin e një sistemi të përshtatshëm”, tha Mjeku.
Ndërkaq, zëvendësministri i Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale i Maqedonisë së Veriut, Miroslav Labudović, foli për ndryshimet ligjore dhe investimet e vendit të tij në energjinë e ripërtëritshme.
Ai tha se Maqedonia e Veriut ka miratuar ligjin e ri për energjinë, ligjin për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme dhe atë për efiçiencën e energjisë, ndërsa është duke analizuar edhe legjislacionin për minierat dhe gjeologjinë.
“Ne kemi miratuar ligjin e ri për energjinë, si dhe për herë të parë ligjin për shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Paralelisht, kemi miratuar edhe ligjin e ri për efiçiencën e energjisë, i cili mund të jetë me interes për ju. Gjithashtu, jemi duke analizuar ligjin për minierat dhe ligjin për gjeologjinë. Duke iu kthyer ligjit për energjinë, për herë të parë kemi përfshirë në të edhe sistemet e ruajtjes së energjisë. Më parë, këto sisteme nuk ishin pjesë e ligjit. Arsyeja është rritja shumë e madhe e energjisë nga burimet e ripërtëritshme që është prodhuar dhe integruar në rrjet gjatë viteve të fundit. Sa u përket burimeve të ripërtëritshme, deri në vitin 2025 kemi instaluar gjithsej 1.5 gigavat kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, prej të cilave 1 gigavat vjen nga centralet diellore, ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet dhe centralet e erës. Si qeveri dhe si shtet, aktualisht jemi duke investuar në disa projekte. Parashihet që të gjitha këto projekte të përfundojnë deri në vitin 2030. Në total, bëhet fjalë për 260 megavat kapacitete të centraleve diellore, të cilat do të ndërtohen në minierat e shfrytëzuara të qymyrit”, tha ai.
Në anën tjetër, shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, theksoi se energjia është faktor kyç për konkurrueshmërinë dhe për vendimet e investitorëve, pavarësisht sektorit ku synojnë të investojnë.
“Nëse një investitor si ju dëshiron të vijë dhe të investojë në sektorin e energjisë, por edhe në ndonjë sektor tjetër, së pari do të shqyrtojë sigurinë e furnizimit me energji, stabilitetin e sektorit energjetik dhe çmimet e energjisë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është edhe çështja se çfarë burimesh të energjisë janë në dispozicion në vendin ku dëshironi të investoni, veçanërisht tani që Bashkimi Evropian po e zbaton edhe Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit. Mendoj se nuk duhet të harrojmë as rëndësinë që ka energjia në jetën e përditshme të qytetarëve në çdo vend. Këtë po e shohim edhe tani në Evropë, ku rritja e çmimeve të energjisë mund të shkaktojë madje edhe pakënaqësi sociale dhe pakënaqësi te qytetarët. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian e konsideron energjinë një nga sektorët më të rëndësishëm ku dëshiron të angazhohet dhe të investojë, jo vetëm në Kosovë, por në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Mendoj se kjo pasqyron edhe arsyen pse Bashkimi Evropian angazhohet me vendet e Ballkanit Perëndimor: ne dëshirojmë që këto vende, përfundimisht, t’i bashkohen Bashkimit Evropian… Aktualisht, në Kosovë, jemi duke instaluar filtra në termocentralin ekzistues me qymyr, Kosova B, sepse tranzicioni nga qymyri kërkon kohë”, tha ai. /KosovaPress/