Berisha thirrje për bojkot të mësimit: Të gjithë t’i bashkohen protestës studentore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje maturantëve dhe nxënësve në të gjithë vendin të bojkotojnë mësimin në shenjë solidariteti me protestën studentore, ndërsa kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.

Në një konferencë për shtyp, Berisha e cilësoi protestën studentore si një revoltë çlirimtare për Shqipërinë dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.

“Studentët shqiptarë, në të katër anët e Shqipërisë, janë në protestën më të fuqishme studentore që ka njohur vendi. Bashkë me studentët janë dhjetëra mijëra gjimnazistë, të cilët kanë dalë krah tyre dhe kërkojnë largimin, dorëheqjen e menjëhershme të Ramës. Ai hodhi në zjarr ëndrrat e mbi 47% të shqiptarëve që u detyruan të marrin rrugët nga varfëria dhe skamja e këtij vendi. Dogji shpresat e një kombi që vendi i tyre të bëhet”, tha Berisha.

Ai u bëri thirrje mësuesve, pedagogëve, bizneseve, mjekëve dhe infermierëve që t’u bashkohen studentëve, duke theksuar se indiferenca ndaj protestës është zgjedhja më e keqe.

“U bëj thirrje të gjithë nxënësve, maturantëve në mbarë Shqipërinë të bojkotojnë mësimet, shkollën për të shpëtuar ëndrrën e tyre më të bukur. Për të shpëtuar të ardhmen e tyre. U bëj thirrje mësuesve, pedagogëve të bashkohen me nxënësit dhe studentët e tyre, të mos harrojnë se mësimi i parë, neni i parë i misionit të tyre është që ata në çdo rrethanë duhet të jenë me nxënësit dhe studentët e tyre”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha akuzoi kryeministrin Rama për keqqeverisje, korrupsion dhe varfërimin e shqiptarëve, ndërsa deklaroi se kërkesa për dorëheqjen e tij është ultimative. “Jep dorëheqjen është kërkesa ultimative e protestës studentore, e opozitës shqiptare, e mbarë shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Berisha paralajmëroi gjithashtu se tentativat për të kërcënuar studentët dhe nxënësit nuk do të mbeten pa ndëshkuar.

I pyetur nga gazetarët për deklaratën e Ramës për agjencinë “Reuters” se nuk do të largohet nga detyra dhe për rrezikun e destabilitetit, Berisha u shpreh se kryeministri i ka humbur betejat dhe e paralajmëroi të mos përdorë policinë si “mish për top”.

Në përfundim, ai u bëri thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit që nuk janë të përfshirë në krim dhe drogë, të japin dorëheqjen, ndërsa kërkoi nga policia në qarqe që të mos ndërhyjë ndaj studentëve protestues. /ATSH/

Read Previous

SHQIPËRI | Policia e Shtetit: Prindër e nxënës, distancohuni nga aktet e dhunshme në protestë

Read Next

Edi Rama: Nuk jap dorëheqjen për shkak të protestave