Mblidhet Kuvendi i Kosovës, këto janë pikat e rendit të ditës

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohen shtatë pika të rendit të ditës.

Seanca është paraparë të nisë në orën 10:00, ndërsa në mesin e çështjeve kryesore është përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).

Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe formimin e një komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Ky komision do të merret me përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së. Prej tyre, dy anëtarë do të jenë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.

Në rendin e ditës është edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Po ashtu, Kuvendi pritet të shqyrtojë për herë të dytë Projektligjin nr. 11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme, për të vazhduar me deklarimet e deputetëve jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Në total, rendi i ditës përmban shtatë pika, për të cilat deputetët pritet të diskutojnë dhe të vendosin gjatë seancës së sotme. /KosovaPress/

Read Previous

Parashikimi i motit për ditën e sotme

Read Next

​Mourinho: E pamundur të ndalet Real Madridi