Uran Ismaili ka bërë të ditur se është konstituuar Komisioni për Shëndetësi i Kuvendit të Kosovës, të cilin do ta drejtojë gjatë kësaj legjislature.
Ismaili, ish-ministër i Shëndetësisë, ka thënë se këtë përgjegjësi e merr me përkushtim, duke theksuar se çdo qytetar meriton shërbime shëndetësore në kohë, të sigurta dhe cilësore.
Ai ka theksuar se do të angazhohet që shëndetësia të rikthehet ndër prioritetet e vendit, përmes veprimeve konkrete, investimeve të menduara mirë dhe llogaridhënies për rezultatet.
Ismaili ka thënë se Komisioni do të dëgjojë pacientët dhe profesionistët shëndetësorë, do të mbikëqyrë punën e institucioneve dhe do të shtyjë përpara zgjidhje që përmirësojnë shërbimet për qytetarët dhe kushtet e punës për punonjësit shëndetësorë.
“Do të dëgjojmë pacientët dhe profesionistët shëndetësorë, do të mbikëqyrim punën e institucioneve dhe do të shtyjmë përpara zgjidhje që përmirësojnë kujdesin për qytetarët dhe kushtet e punës për ata që kujdesen për ta”, ka shkruar Ismaili.
Sipas tij, synimi është që qytetarët të marrin shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, me cilësi dhe dinjitet.