Mbi 687 mijë pasagjerë në Portin e Sarandës deri në shtator, rriten mbërritjet e anijeve turistike

Porti i Sarandës ka përpunuar 687 594 pasagjerë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar një nivel të qëndrueshëm të lëvizjes së udhëtarëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u regjistruan gjithsej 686 398 pasagjerë.

Fluksi i udhëtarëve është përqendruar kryesisht gjatë muajve të sezonit veror, ndërsa është rritur edhe numri i anijeve turistike të ankoruara në port.

Përgjegjësja e përpunimit të anijeve dhe trageteve në portin e Sarandës, Hatixhe Ismaili tha sot për ATSH-në se nga janari deri në shtator të këtij viti kanë hyrë 338 250 pasagjerë, ndërsa në dalje janë regjistruar 349 344 pasagjerë.

Sipas saj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për pasagjerët në total hyrje dhe dalje është shënuar një rritje e lehtë me 1196 pasagjere ose 0.2 %

Ndërkohë, numri i udhëtarëve në dalje është rritur, nga 346 824 në 349 344 pasagjerë.

“Kurse në hyrje krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie të lehte 1324 pasagjerë më pakë dhe konkretisht për 9 mujorin 2026 kanë hyrë 338250 pasagjerë nga 339574 në të njëjtën periudhë të 2025-ës”, tha Ismaili.

Muajt që kanë regjistruar më shumë hyrje të udhëtarëve janë muajt qershor, korrik, gusht dhe shtator, ku konkretishte në qershor kanë hyrë 108 461 udhëtarë, në korrik 154524, në gusht 179 130 udhëtarë dhe në shtator 128 014 udhëtarë.

Rritja e fluksit të udhëtarëve shoqërohet edhe me një aktivitet të lartë të mjeteve turistike detare.

“Numri i anijeve turistike të ankoruara në Portin e Sarandës si 9-mujor shkon në 59 nga 51 në vitin 2025, ndërsa tragetet kruiz janë 26 në të dy vitet. Kurse për mjetet lundruese si jahte, veliera, skafe etj, që janë akostuar në port për të dyja vitet është i njëjti numër rreth 340”, tha Ismaili.

Ajo theksoi se Porti i Sarandës ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme akostuese për mjetet lundruese të luksit.

“Mungesa e marinave për këto mjete bëjnë që një numër i konsiderueshëm të qëndrojë në radë (gjiri i Sarandës) pa patur mundësinë të bregëzohen në port”, theksoi Ismaili.

Sipas të dhënave fluksi i udhëtarëve në Portin e Sarandës ka mbetur pothuajse në të njëjtat nivele me një vit më parë, me lëvizje të lehta në të dy drejtimet.

Porti i Sarandës përbën një pikë të rëndësishme të transportit detar të pasagjerëve dhe të lidhjeve turistike të jugut të Shqipërisë, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur qyteti dhe zonat përreth presin një numër të konsiderueshëm vizitorësh vendas dhe të huaj. /ATSH/

Read Previous

Edi Rama: Malësia e Madhe dhe Përmeti destinacione turistike të Shqipërisë së re

Read Next

Papa Leo kundërshton dënimin me vdekje