Edi Rama: Malësia e Madhe dhe Përmeti destinacione turistike të Shqipërisë së re

Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar në episodin e sotëm të podkastit “FLASIM” dy sipërmarrës shqiptarë, të cilët janë kthyer nga emigracioni për të investuar në Shqipëri, përkatësisht në Malësinë e Madhe dhe në Përmet.

Gjatë bisedës, Rama u ndal te potenciali turistik i këtyre zonave, duke theksuar se përtej asaj që pasqyrohet në rrjetet sociale dhe në ekranet e medieve, një tjetër Shqipëri po zhvillohet përmes sipërmarrjes dhe investimeve.

“Malësia e Madhe dhe Përmeti janë tashmë dy destinacione turistike të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër, ndërkohë nga bulevardi i Tiranës shumë çka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe ekraneve”, tha Rama.

Një prej të ftuarve ishte Kanton Gashi, nga fshati Gashaj në Malësinë e Madhe, i cili është kthyer në Shqipëri pas 32 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka hapur një restorant dhe kamping, “Liqeni Kamping dhe agroturizëm” në Malësinë e Madhe, një sipërmarrje që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj.

“Kam pritur vetëm kohën e duhur që të rriten fëmijët dhe të vij. Besova te vetja se duhet të vija dhe të plotësoja ëndrrat e mia”, u shpreh Gashi.

Ai tha se arsyeja kryesore e rikthimit ishte lidhja me vendin dhe dëshira për të ndërtuar diçka të vetën në Shqipëri. Sipas tij, kampingu pret vizitorë edhe gjatë dimrit, ndërsa mes turistëve ka gjermanë, holandezë dhe francezë. Një pjesë e produkteve që përdoren në biznes sigurohen nga prodhimi vendas dhe banorët e zonës.

Një tjetër histori rikthimi është ajo e Ergit, i cili u kthye nga Londra në vitin 2017. Pasi punoi si dizajner, ai vendosi të investonte në sektorin e hotelerisë dhe turizmit në Tiranë, ku rinovoi nga e para një strukturë akomoduese.

Ergi tha se biznesi ka shtatë dhoma dhe se rezervimet realizohen edhe përmes platformës Booking. Ai u shpreh i kënaqur me ecurinë e turizmit dhe bëri të ditur se ka në plan të nisë ndërtimin e një hoteli në Përmet, me një koncept që ndërthur hotelerinë me agroturizmin.

“Kam pasur oferta për të ikur jashtë vendit, por vendosa të qëndroj me biznesin në Tiranë. Më frymëzon më shumë të punoj për veten time”, tregoi ai.

Gjatë bisedës, kryeministri Rama u ndal edhe tek programi i mbështetjes për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Rama tha se programi parashikon mundësi financimi për biznese në fusha si agroturizmi, blegtoria, agropërpunimi, teknologjia dhe ambalazhimi.

“Merrni kredi deri në 2% interes, 70% të garancisë e vë shteti dhe është 10 vjet dhe është deri në 2 milionë euro, por mund të marrë dhe më pak sipas planit dhe mundësive që lidhen me kolateralin”, tha Rama.

Rama theksoi se agroturizmi mbetet një nga sektorët ku qeveria synon të mbështesë më fort sipërmarrjen, duke iu referuar investimeve që mund të zhvillohen në zonat me potencial turistik. /ATSH/

Read Previous

Grabitje në Gjakovë, një gruaje i merren para nën kërcënimin e thikës

Read Next

Mbi 687 mijë pasagjerë në Portin e Sarandës deri në shtator, rriten mbërritjet e anijeve turistike