Nga 1 nëntori nis kontrolli për bizneset që operojnë online

Bizneset që shesin produkte apo ofrojnë shërbime përmes internetit në Kosovë kanë afat deri më 31 tetor 2026 për t’u regjistruar dhe për t’u pajisur me certifikatën e regjistrimit të biznesit. Nga 1 nëntori, inspektorët përkatës do të nisin kontrollet për të verifikuar nëse këto biznese veprojnë në përputhje me kërkesat ligjore.

Njoftimin e ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, përmes një postimi në Facebook.

Kontrollet nuk do të përfshijnë vetëm bizneset që operojnë online, por edhe kompanitë postare, me qëllim të verifikimit të dokumentacionit dhe respektimit të legjislacionit në fuqi.

Ministrja ka theksuar se formalizimi i tregtisë online është i rëndësishëm për mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjitha bizneset.

“Nuk mund të ketë konkurrencë të drejtë kur disa biznese i respektojnë rregullat, ndërsa të tjerat i shmangin ato”, ka shkruar Kusari-Lila, duke u bërë thirrje bizneseve që të përfundojnë regjistrimin brenda afatit të përcaktuar.

Njoftimi i plotë i ministres Kusari-Lila:

Rregullat vlejnë për të gjithë. Tregu online nuk është përjashtim nga ligji.

Të gjitha bizneset që shesin produkte apo ofrojnë shërbime online duhet të përfundojnë regjistrimin dhe të pajisen me certifikatën e regjistrimit të biznesit deri më 31 tetor 2026.

Nga 1 nëntori 2026, do të nisin kontrollet nga inspektorët përkatës ndaj bizneseve që operojnë online dhe kompanive postare, për të verifikuar dokumentacionin dhe zbatimin e kërkesave ligjore.

Nuk mund të ketë konkurrencë të drejtë kur disa biznese i respektojnë rregullat, ndërsa të tjerat i shmangin ato. Formalizimi i tregtisë online mbron konsumatorët, garanton transparencë dhe krijon kushte të barabarta për të gjithë.

Regjistrohuni me kohë. Ligji zbatohet për të gjithë, pa përjashtim.Mimoza Kusari-Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit

Read Previous

Cakolli reagon pas etiketimeve ndaj gazetarit Jupolli: Kështu krijohet frika, pastaj autocensura

Read Next

Policia shqiptoi për 24 orë, mbi 2100 gjoba në trafik