BMW-ja nuk i jep veturë politikanit të AfD-së

Prodhuesi gjerman i veturave BMW ka tërhequr ofertën për dhënien e veturës për kryetarin e ri të Parlamentit të landit të Saksonisë-Anhaltit, Tobias Rausch, nga partia e djathtës ekstreme AfD.

Administrata e parlamentit konfirmoi për gazetën gjermane Die Zeit se selia qendrore e BMW-së në Munih e tërhoqi ofertën më 6 tetor. Si pasojë, Rausch mund të mbetet pa veturë zyrtare nëse deri në skadimin e kontratës aktuale nuk gjendet një alternativë.

BMW-ja nuk pranoi të komentonte arsyet e tërheqjes së ofertës. 

Rasti vjen në një kohë kur drejtori i BMW-së, Milan Nedeljkoviq, 57 vjeç, ka folur publikisht për zhvillimet politike në Gjermani. Në një intervistë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai deklaroi se populizmi i djathtë dhe nacionalizmi janë “helm” për një ekonomi të hapur, e cila varet nga tregtia ndërkombëtare. Sipas tij, ata që promovojnë mbylljen dhe izolimin nuk veprojnë në interes të ekonomisë gjermane.

Kryetari i Parlamentit të Saksonisë-Anhaltit ka në dispozicion një veturë zyrtare me shofer. Aktualisht, Rausch po përdor veturën e paraardhësit të tij nga Unioni Demokristian (CDU), një BMW e Serisë 7.

Megjithatë, vetura është në përdorim prej nëntë muajsh dhe ka përshkuar më shumë se 50 mijë kilometra. Kontrata e qirasë skadon në nëntor, çka do të thotë se Rausch mund të mbetet pa veturë zyrtare nëse deri atëherë parlamenti nuk siguron një tjetër.

Sipas administratës së parlamentit, oferta e tërhequr nga BMW-ja ishte e vetmja e paraqitur nga prodhuesit e mëdhenj gjermanë të veturave. 

Veturat e prodhuesve gjermanë përdoren tradicionalisht nga parlamentet dhe institucionet shtetërore të vendit. Për kompanitë, kontrata të tilla përbëjnë jo vetëm çështje prestigji, por edhe një formë mbështetjeje për ekonominë vendore.

Read Previous

Shiten 10 mijë bileta për ndeshjen Shqipëri–Finlandë

Read Next

Hamza në 27-vjetorin e PDK-së: Jemi forca politike me kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës