Shtëpia e Bardhë ka ndaluar Microsoftin dhe shtatë kompani të tjera të teknologjisë që të vazhdojnë procedurat për punësimin e përhershëm të punëtorëve të huaj përmes programit të vizave PERM.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i akuzoi kompanitë për keqpërdorim të sistemit të vizave H-1B, duke pretenduar se po zëvendësojnë punëtorët amerikanë me punonjës të huaj.
Përveç Microsoftit, në listë janë edhe Adobe, Cognizant, Infosys, Tata, Wipro, HCL dhe Capgemini.
Vance pretendoi se Microsofti kishte larguar nga puna rreth 6 mijë punonjës, ndërsa kishte paraqitur 6 mijë e 800 aplikime për viza H-1B gjatë së njëjtës periudhë.
Nga ana tjetër, Microsofti deklaroi se 80 për qind e aplikimeve të tij për viza H-1B gjatë vitit të fundit fiskal kishin të bënin me punonjës që tashmë punonin në kompani. Sipas saj, punëtorët e huaj paguhen njësoj si punonjësit amerikanë në pozita të ngjashme.
Programi H-1B u mundëson kompanive amerikane të punësojnë punëtorë të huaj me aftësi të specializuara, ndërsa programi PERM shërben si një nga rrugët drejt fitimit të statusit të rezidentit të përhershëm në SHBA.