Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dënuar njoftimin e Donald Trumpit për një marrëveshje që parasheh importimin e naftës dizel ruse në SHBA.
Zelensky e cilësoi këtë si një dhuratë për presidentin rus, Vladimir Putin, e cila përbën “një investim në një luftë që duhet të përfundojë, e jo të zgjatet”.
Trump tha se Putini kishte rënë dakord të lironte menjëherë 300 mijë tonë naftë dizel “për tregun amerikan dhe atë global”, të pasuara nga 500 mijë tonë në nëntor dhe një milion tonë të tjerë më pas.
Sipas informacioneve, si pjesë e marrëveshjes, Thesari i SHBA-së po pezullon sanksionet ndaj eksporteve ruse të naftës dizel deri më 7 prill, ndërsa asetet e tjera, si ato në bankat amerikane, mbeten të ngrira.
Në postimin e tij në rrjetin social Truth Social, Trump shtoi se edhe tre milionë tonë të tjerë naftë dizel ruse do të dorëzoheshin “brenda një periudhe të shkurtër”, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse, të cilat janë sulmuar nga Ukraina.
Më vonë, Putini deklaroi se Rusia, e cila kishte vendosur ndalimin e eksporteve të naftës dizel në fillim të këtij viti, ishte e gatshme të furnizonte si SHBA-në, ashtu edhe tregjet globale me naftë dhe produkte të naftës. Megjithatë, në deklaratën e tij nuk u specifikuan sasitë.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se Rusia do ta shpërblente këtë furnizim me naftë dizel me “akte të mëtejshme terrori”.
“Ne llogarisim në mbështetjen e drejtë të Amerikës për mbrojtjen e jetës dhe të njerëzve në Ukrainë, si dhe që Shtetet e Bashkuara të zhvillojnë një bisedë po aq të vendosur me Rusinë. Një bisedë të fortë, jo të dobët”, shkroi ai.
Megjithatë, analistët kanë vënë në pikëpyetje nëse Rusia është në gjendje të sigurojë një sasi të tillë nafte dizel dhe në çfarë mase ky furnizim do të ndikojë në uljen e çmimeve për konsumatorët amerikanë.