Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për ndryshimet ligjore që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës sa i përket Ligjit për Specialen. Hasani në Rubikon ka thënë se Gjykata e Hagës nuk mund të jetë dogmatike e t’ia heqë Kosovës kompetencat e saj që janë sovrane të një shteti të pavarur.
Ai ka thënë se Specialja nuk mund të bëjë interpretime pa kufi të kompetencave e t’ia heqë Kosovës të drejtën e bërjes së një Ligji apo të shpreh vullnetin e saj për çështje që lidhen me sovranitetin e saj dhe dinjitetin e shtetit.
”Bëhet fjalë për proporcionalitet e domosdoshmëri. Gjykata në Hagë nuk mundet me qenë dogmatike. Kompetencat janë sovrane të një shteti sovran dhe të pavarur. Nuk mundesh me i interpretu ato pa kufi e me ia heq të drejtën një shteti me vendos me Ligj e me shpreh vullnetin e vetë për çështje që lidhen me sovranitetin e dinjitetin e shtetin”, ka deklaruar Hasani.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, mes tjerash ka vlerësuar se ekzistojnë gjasa të mëdha që Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale, ta anulojë ligjin e ri për Specialen, që u votua para dy ditësh në Kuvendin e Kosovës.
Hasani është thirrur në vendimin e vitit 2020, përmes të cilit, sipas tij, janë shqyrtuar nenet 13 dhe 14 të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës.