​Zyrtarizohet kundërkandidati i parë i Infantinos për president të FIFA-s

Ish-mbrojtësi i Tottenhamit, Ramon Vega, ka konfirmuar synimin për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, duke u shfaqur si kandidati i parë që deklaron publikisht ambicien për të sfiduar presidentin aktual, Gianni Infantino.

Vega, 55-vjeçar, ish-përfaqësues i Zvicrës dhe me një karrierë që përfshiu skuadra si Cagliari, Tottenham, Celtic dhe Ëatford, synon të garojë kundër Infantinos në zgjedhjet që pritet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

Ish-futbollisti zviceran tha se synimi i tij është të reformojë dhe modernizojë FIFA-n, si dhe të rikthejë besimin në qeverisjen e futbollit botëror.

“Qëllimi im është i qartë: t’i shërbej futbollit dhe njerëzve që i japin jetë lojës”, tha Vega.

“Unë jam në këmbë për të ribashkuar familjen globale të futbollit, për të ofruar reforma të vërteta dhe të qëndrueshme, për të modernizuar FIFA-n për shekullin e 21-të, për të rivendosur stabilitetin dhe besueshmërinë, si dhe për të rindërtuar besimin që i nevojitet urgjentisht lojës sonë”, shtoi ai.

Kandidatura e Vegës vjen në një moment kur Infantino po përballet me kundërshtime të reja. Muajin e kaluar, Shoqata Zvicerane e Futbollit tërhoqi mbështetjen për një mandat tjetër të tij, ndërsa më herët edhe federatat e Anglisë, Uellsit, Francës, Serbisë dhe disa vendeve të tjera evropiane kishin bërë të njëjtin veprim.

Ndërkohë, UEFA ka paralajmëruar se do të paraqesë një kandidat rival përpara afatit të nëntorit.

Vega kishte shqyrtuar mundësinë për të kandiduar edhe në zgjedhjet e viteve 2015, 2019 dhe 2022, por këtë herë është kandidati i parë që e ka bërë publike ambicien për të sfiduar Infantinon.

“Futbolli nuk u përket presidentëve, konfederatave apo administratorëve. Futbolli është më i madh se çdo pozicion, çdo individ apo çdo institucion”, deklaroi Vega.

“Udhëheqja aktuale e ka demoralizuar lojën. Qeverisja e dobët ka dëmtuar besueshmërinë e FIFA-s dhe ka gërryer besimin në të gjithë familjen globale të futbollit. Ne duhet ta ndalojmë këtë konflikt që të përshkallëzohet”, përfundoi ai.

Vega, i cili fitoi Kupën e Ligës me Tottenhamin në vitin 1999 dhe më pas kompletoi tripletën vendase me Celticun në sezonin 2000/01, tani synon të kalojë nga fusha e futbollit në një nga postet më të rëndësishme të sportit botëror. /KosovaPress/

Read Previous

Çfarë ndryshon me Ligjin për Gjykatën Speciale?

Read Next

AfD-ja kërkon t’i jepet fund mbështetjes gjermane për Ukrainën